Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka depozituar në Kuvend nismat ligjore me qëllim ndalimin e mbajtjes së posteve publike për personat e lidhur në të shkuarën me ish sigurimin e shtetit

 

Konkretisht janë dy nisma, njëra për disa ndryshime në ligjin për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike ose ndryshe ligji i dekriminalizimit dhe tjetra në ligjin e partive politike.

 

Jashtë ambjenteve të Kuvendit Balla tha se verifikimit do t’i nënshtrohen të gjithë ata persona që ushtrojnë funksione publike aktualisht dhe në të ardhmen.

 

Verifikimi do të jetë i njëjtë për personat e zgjedhur ose të emëruar që të jenë në funskione shtetërore.

 

Kjo nisëm krijon premisat e duhura ligjore që anëtarët, bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit, strukturave sekrete dhe spiunët e atij regjimi të mos jenë më pjesë e posteve publike e të mos mbajnë më peng të ardhmen e vendit për interesa të ngushta vetjake e në kundërshtim me parimet e shoqërisë demokratike.

Për këtë arsye nëpërmjet kësaj nisme, propozohet që të ndalohen personat me të shkuar me ish sigurimin e Shtetit që të zgjidhen kryetar në parti politike dhe nëse janë zgjedhur të shkarkohen. 

Qenia e kryetarit të partisë politike, në kushtet ndaluese ligjore, parashikohet në projektligj si një nga rastet e ndalimit të regjistrimit të një partie. 

Projektligji parashikon që verifikimi të kryhet përpara regjistrimit, ku organet themeluese i kërkojnë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve verifikimin nëse kryetari i zgjedhur i partisë pëfshihet në ndalimet e parashikuara nga ligji nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar”.  Vërtetimi negativ i lëshuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është pjesë e dokumentave për regjistrimin e partisë.

Këtij detyrimi ligjor do t’i nënshtrohen jo vetëm ata që duan në të ardhmen të jenë pjesë e funksioneve shtetërore, por edhe atyre që janë aktualisht në pozicione të tilla, pavarësisht nëse e kanë apo jo një çertifikatë pastërtie, Bezhani apo Mezini, pavarësisht nëse janë verifikuar më parë nga Autoriteti i Dosjeve apo jo.

Kjo nisëm parashikon se, nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vërteton se kryetari i një partie politike ndodhet në kushtet e ndalimit sipas ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar” i kërkon partisë politike shkarkimin e kryetarit dhe zgjedhjen e një kryetari të ri brenda 2 muajve nga konstatimi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re