Ish-trajneri i Basel, Heiko Vogel, beson se Granit Xhaka ishte lojtari më i mirë që pa në ish-skuadrën e tij, duke tejkaluar madje Xherdan Shaqirin dhe Mohamed Salah.

Graniti është në mesin e shumë lojtarëve të talentuar, që kanë kaluar nëpër radhët e gjigantëve zviceranë në dekadën e fundit, duke luajtur në ekipin e parë për dy sezone, para se të transferohej te Borussia Monchengladbach dhe më vonë tek Arsenali.

Ai erdhi në ekipin e parë një vit pas Shaqirit, i cili tashmë kishte treguar një nivel të lartë, sipas Vogel, pas një sezoni, në të cilin lojtari aktual i Liverpool-it luajti një rol të madh që Basel të sigurojë dy trofe vendas.

Vogel beson se është thelbësore për ta kuptuar pse e konsideron Xhakën më të mirin, që pa në klubin zviceran. “Granit Xhaka, – tha Vogel për “SPOX”, – ishte lojtari më mbresëlënës gjatë kohës sime si trajner i Basel. Bënte një punë të mrekullueshme. Në javën e fundit të kampionatit ne patëm një ndeshje jashtë, kundër Young Boys, e cila vlente titullin. 

Shaqiri luajti si mbrojtës i majtë kundër Seydou Doumbia, i cili kishte shënuar mbi 30 gola në atë sezon. Shaqiri e neutralizoi plotësisht atë, zhvilloi një lojë të jashtëzakonshme.

Kësisoji, ai ishte mbresëlënës, madje edhe në ndeshjen kundër Manchester United. Lojtarët me përvojë si Patrice Evra u befasuan prej tij. Xherdani, gjithashtu, asistoi të dy golat kundër United”.

Përkundër rekordit të Shaqirit, që fitoi tituj të Ligës Zvicerane në të tria sezonet e tij te Basel, Xhaka arriti ta mahniste Vogel me lidershipin që tregonte, nga momenti i parë kur e pa:

“Ishte koha kur Graniti u bë kampion bote për U-17. Ishte një ndërprerje e kampionatit për shkak të angazhimeve të kombëtareve dhe ne zhvilluam një miqësore me Basel.

Graniti hyri në minutën e 70-të. Në të 75-tën ai merr topin, lëviz disa metra dhe e dërgon atë në trekëndësh, në një largësi prej 25 metrash. 

Ende e mbaj mend si u ula në autobus, pas ndeshjes, dhe po mendoja: Ju po flisni për Shaqirin? Xhaka është më i mirë.

Ky ishte fillimi i dashurisë time personale për të. Edhe pse vetëm 18 vjeç, Graniti ishte tepër i qartë në veprimet dhe pikëpamjet e tij.

Ai ishte një lider i lindur natyral. Gjithashtu, Momo Salah ishte mbresëlënës, por në një mënyrë tjetër”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re