Pas nisjes së bombardimeve të NATO-s,  forcat serbe nisën tërheqjen nga Kosova, por jo ndalimin e krimeve ndaj shqiptarëve. Në Burgun e Dubravës, 23 vite më parë, gardianët e burgut rreshtuan të burgosurit duke u thënë se do t’i transferonin pasi aty nuk kishte kushte. Shumë të burgosur u ekzekutuan, shumë të tjerë u plagosën, shumë të tjerë u fshehën. Deri më sot, ende nuk ka përgjegjës për atë masakër.

Një prej të pranishmëve atje, ka qenë dhe Arben Bobani, ish ushtar i UÇK-së. Ai tregoi mes lotëve, një skenë që i ka mbetur në memorje. Teksa rrëfente ngjarjet në një emision të Klan Kosovës, Bobani përlotet.

“Ka patur një skenë, që kurrë nuk do ta harroj. Krejt bëj me ia fal, por atë djalë kurrë nuk ua fali, kurrë… (qan)

Djalin aq e kam sot, 15 vjeç… kam parë se qysh vrahet një fëmijë. Ka qenë i ri, as 16 vjet s’i ka pasë. Ai e kërkonte vëllanë e vet. Ne ishim fshehur. Ishte e tmerrshme, ne pa armatim e ata me armë që gjuanin. I thoshim: Fshihu more!

Ai doli në lëndinë, e goditën në kokë, skenë që s’e harroj kurrë. Krejt ua fali, atë djalë nuk ua fali kurrë”, është shprehur Bobani.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re