Katër alpinistë të cilët kishin mbetur të bllokuar në majën e quajtur “Çuka e Peçit” në lartësinë 2523 m, të malit të Gramozit, janë shpëtuar nga policia dhe banorët e zonës.

Alpinistët u gjetën pas disa orësh kërkime, ndërsa janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Ata kishin mbetur të bllokuar për shkak të kushteve të vështira atmosferike.

Njoftimi i plotë i policisë:

Kolonjë

Policia në bashkëpunim me banorët e zonës, u vjen në ndihmë 4 alpinistëve.

Në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Kolonjë, është marrë një telefonatë sipas të cilës 4 alpinistë që kishin lënë mjetin e tyre tip “Ford”, në fshatin Starje dhe ishin nisur për të ngjitur malin e Gramozit, mund të kishin mbetur të bllokuar në rrugë për shkak të kushteve të vështira atmosferike.

Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, në drejtim të zonës, u nisën shërbime të Komisariatit të Policisë Kolonjë dhe Stacionit të Policisë Kufitare Shtikë, të Emergjencave Civile, të ndihmuar edhe nga banorë të zonës.

Pas disa orë kërkimesh, u bë i mundur lokalizimi dhe gjetja në gjendje të mirë shëndetësore e 4 alpinistëve, të cilët ishin ngjitur në majën e quajtur “Çuka e Peçit” në lartësinë 2523 m, të malit të Gramozit dhe më pas për shkak të kushteve të vështira atmosferike, kishin hasur vështirësi gjatë kthimit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re