Dy shtetas që ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar janë ndaluar me qëllim ekstradimin drejt Italisë.

Në pranga ka rënë Ilir Plaku, 55 vjeç, që ishte dënuar në vitin 2014 në Itali me mbi 5 vjet burg pasi akuzohej për “Trafikimi ndërkombëtar i narkotikëve” dhe “Rezistencë ndaj punonjësit publik”.

I arrestuari i dytë është Braniol Liço (Ago), 45 vjeç, i dënuar në vitin 2016 në Itali me mbi 7 vjet burg për veprat penale “Trafikim ndërkombëtar i narkotikëve” dhe “Organizatë kriminale”.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet një tjetër operacion për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Operacioni nga DVP Durrës, në bashkëpunim me Interpol Tirana, i koordinuar nga Departamenti i Policisë Kriminale.

Kapen dhe ndalohen 2 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimin drejt Italisë.

Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Interpol Tirana, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i përkohshëm, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, i shtetasve:

Ilir Plaku, 55 vjeç, banues në Durrës, të cilin Gjykata e Apelit në Cagliari/Itali, në vitin 2014, e ka dënuar me 5 vjet, 11 muaj e 12 ditë burgim, për veprat penale “Trafikimi ndërkombëtar i narkotikëve” dhe “Rezistencë ndaj punonjësit publik”, parashikuar nga Kodi Penal italian.

Braniol Liço (Ago), 45 vjeç, banues në Durrës, të cilin Gjykata e Apelit në Brescia/Itali, në vitin 2016, e ka dënuar me 7 vjet e 6 muaj burgim, për veprat penale “Trafikim ndërkombëtar i narkotikëve” dhe “Organizatë kriminale”.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijon procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve drejt Italisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re