Ministria e Shëndetësisë sqaroi se i moshuari në Shkodër që ndërroi jetë sot, nuk vdiq për shkak të koronavirusit, edhe pse ishte bartës i tij dhe asimptomatik.
Ai është i ati i pacientit të parë me COVID-19. I moshuari, i cili prej dy muajsh qëndronte i palëvizur për shkak të një frakture koksofemorale dhe vuante nga diabeti mellitus, sëmundje kardiake dhe hipertension, ka ndërruar jetë si pasojë e infarktit të miokardit ditën e sotme.
“85-vjeçari ka qenë bartës i COVID19, i konfirmuar gjatë hetimit epidemiologjik të kryer tek të gjithë anëtarët e familjes së tij në Shkodër, por ka qenë asimptomatik gjatë gjithë kohës, pra pa shenja të sëmundjes. 85-vjeçari ndiqej nga mjeku i familjes, i cili ka konfirmuar se shkaku i vdekjes është infarkti i miokardit.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit dhe siguron opinionin publik se do të informojë për situatën, sikundër ka bërë deri tani. Sqarojmë edhe një herë se 85-vjeçari, nuk është viktimë e COVID19 në Shqipëri”.
