Dom Marjan Gjinesha, në emisionin ‘Open’ në News24, ka folur për ndarjen nga jeta të Papa Françesku, ndërsa ka kujtuar vizitën e tij në Shqipëri.
Dom Marjan Gjinesha the se gjëja më e jashtëzakonshme që ka bërë është thirrja për paqe, teksa theksoi se për Papa Françeskun, nuk ka ekzistuar titulli apo rendi shoqëror, por njeriu.
“Shpesh herë nuk ishte shumë i qartë, sepse ishte shumë i thjeshtë. Fliste gjuhën e njerëzve të thjeshtë. E kanë kritikuar për mënyrën sesi shprehej. Mendoj se është keqkuptuar shumë. Janë marrë fjalë të cilat kanë nxitur diskutim edhe paqartësi. Por ai nuk ka ndryshuar asgjë me doktrinën e Kishës, pasi as nuk mundet pa një takim me kardinalët. Thjesht ai ka treguar një fytyrë të Kishës, që Kisha e ka patur edhe përpara.
Kisha Katolike edhe në Shqipëri ka punuar për të varfrit për të sëmurët. Për 30 vite vazhdojmë si Kishë katolike tu shërbejmë njerëzve.
Gjëja më e jashtëzakonshme që ka bërë është thirrja për paqe, sidomos për paqe mes feve. Asnjëherë nuk ka mbajtur një qëndrim anësor, siç vetë emri i tij Françesku, ka dashur që kisha të jetë zëri i botës për paqe.
E ka bërë me emigrantët, me njerëzit që kanë vuajtur, sidomos për aktin e paqes në Abu Dadi me imamin AlAzar, duke i treguar gjithë botës se kemi nevojë për paqe.
Vetë fakti që Papa Francesku zgjidhi të vinte në Shqipëri, një vend i i vogël por që kemi dhënë dhe vazhdojmë të japim shumë për gjithë botën. Kur vjen një Papë, në vendin tonë është një privilegj i madh. Unë e kam takuar dhe kam folur me të. Ishte shumë i thjeshtë. Për Papa Françeskun, nuk ka ekzistuar titulli apo rendi shoqëror, por njeriu”, tha ai.
Ai ndër të tjera ka zbuluar edhe si zgjidhet Papa i ri.
“Do të bëhen nderimet deri në varrimin e tij. Më pas kardinalët do të mblidhen brenda Kapelës derisa të zgjidhet papa i ardhshëm. Secili kardinal ka të drejtë… dhe shpirti i shenjtë i frymëzon ata që të zgjedhin papën e posaçëm për kohën dhe për kishën. Për tu zgjedhur një papë duhen 2/3 e votave, do të jenë 120 kardinalë, nën moshën 80 vjeç që do të votojnë. Çdo ditë do të ketë 4 votime dhe kur nuk arrihet të zgjidhet papa do dalë tymi i zi. Kur zgjidhet do ta dalë tymi i bardhë”, tha ai.