Besmir Maha, 29 vjeç, i shpallur në kërkim për mbi 7 vjedhje është arrestuar nga Policia. Ai u kap në operacionin “Vakuf”, ndërsa në banesë iu gjet edhe një armë gjahu pa leje, municion dhe një thikë, të cilën dyshohet se e përdorte në momentin që hymte për të vjedhur. Ai qëndronte i fshehur në një banesë të braktisur në fshatin Vakuf.

NJOFTIMI I PLOTE:

Dibër

Finalizohet operacioni policor i koduar “Vakuf”, për kapjen e personave të shpallur në kërkim në fushën e vjedhjes së pronës. Kapet dhe ndalohet një 29-vjeçar i shpallur në kërkim policor, i dyshuar si autori i 7 rasteve të vjedhjes në banesa dhe lokale në qytetin e Peshkopisë dhe zonën rreth saj.

Në momentin e kapjes, Policia i gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë gjahu që e mbante pa leje, municion luftarak dhe një armë të ftohtë (thikë).

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe zbardhjen e rasteve të vjedhjeve të pronës të ndodhura më parë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të identifikuar dhe të shpallur në kërkim, si rezultat i punës operative e hetimore, gjatë ditës së djeshme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Vakuf”, në një banesë të braktisur në fshatin Vakuf, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim policor:

B. M., 29 vjeç, banues në Peshkopi.

Për këtë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja” dhe ‘Vjedhja e mbetur në tentativë’, pasi nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se është autor i dyshuar i 7 rasteve të vjedhjeve në banesa dhe në lokale, të ndodhura më parë në qytetin e Peshkopisë dhe zonat përreth saj.

Në momentin e ndërhyrjes, në tavanin e banesës së braktisur ku ishte i fshehur shtetasi B. M., Policia gjeti dhe sekuestroi një armë gjahu që e mbante pa leje, një armë të ftohtë thikë dhe municion luftarak. Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë Dibër, për hetime të mëtejshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re