Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka kundërshtuar projektligjin për Gardën e Republikës duke hedhur akuza se është i qepur me porosi nga oligarkët.

Gjatë seancës maratonë në Kuvendin e Shqipërisë, deputeti Salianji u shpreh se ky projekligj dëmton sistemin e karrierës në gardën e Republikës.

“Duan të sjellin direkt e nga aeroporti në institucionet e Kuvendit drejtuesin e Gardës”, deklaroi ligjvënësi demokrat, duke akuzar PS-së se duan një drejtues personal që t’i ruajë nga aferat korruptive.

Ervin Salianji u shpreh se mazhoranca e ka kthyer Shqipërinë në një kafshatë që e konsumon përditë.

“E njëjta gjë edhe në keqpërdorimin që i bëni në shoqërimin e personaliteteve, e dini, e keni kthyer Shqipërinë në një kafshatë që e hani përditë. Ishulli i Sazanit qindra vite i paprekur po e hani ju për drekë, Edi Rama, se ju të tjerët nuk e di çfarë ju mbetet nga dreka. Butrinti mijëra vite i paprekur, një kafshatë e merrni ju. Diskutoni këtu për porte të rinj, për 400 mln euro investim”, tha Salianji.

Deklarata e plotë e Ervin Salianjit

Shumë kolegë kanë gjatë që presin sot, por si muaji i shenjtë që është ky solli edhe paqe në këtë sallë, ka kalitur edhe durimin ndaj dua t’ju uroj me këtë rast të gjithë besimtarëve që agjërojnë, agjërim të lehtë de të pranuar.

Të kthehemi tek projektligji, padiskutim që është një prej rasteve tipike të ligjeve të qepura me porosi. Mua si deputet, por edhe çdo deputeti tjetër që duhet të ruajë dinjitetin e deputetit, duhet të ndihet jomirë kur voton ligj që duan të sjellin direkt e nga aeroporti në institucionet e Kuvendit drejtuesin e Gardën. Ky ligj dëmton në thelb sistemin e karrierës në gardën e Republikës, i dëmton të gjithë këta burra dhe gra që punojnë dhe duan të ngjiten në krye të sistemit duke i hapur rrugën me ligj njerëzve që vijnë si influenca personale të oligarkëve në këtë vend.

Drejtuesi i Gardës është dorëhequr dhe ka dhënë dorëheqjen nga dorëheqja disa herë me radhë. Nuk dihet a është i dorëhequr apo në detyrë, por dihet që ky ligj vjen që të zëvendësohet ky drejtues i sotëm me një drejtor të ri që siç e thashë vjen si influencë e oligarkëve, nuk është as i pari dhe as i fundit. Shumë ligje dhe projektligje të këtij lloji po diskutohen në këtë periudhë. Nëse vjen një projektligj për të përmirësuar diçka për gardën e Republikës, gardisti i thjeshtë merr 600 mijë lekë të vjetra, drejtuesin e Gardën që keni ju sot merr 600 mijë euro në ditë. Një njeri që familjarisht merr tendera publikë nga ky vend qindra milionë euro.

Juve iu intereson që Gardën e Republikës ta ktheni në gardë për të ruajtur drejtuesit e qeverisë për shkak të aferave, siç e kthyer për fat të keq gardistët në këtë sallë të përplaseshin fizikisht me deputetët, a thua se do të prekeshit ju? E njëjta gjë edhe në keqpërdorimin që i bëni në shoqërimin e personaliteteve, e dini, e keni kthyer Shqipërinë në një kafshatë që e hani përditë.

Ishulli i Sazanit qindra vite i paprekur po e hani ju për drekë, Edi Rama, se ju të tjerët nuk e di çfarë ju mbetet nga dreka. Butrinti mijëra vite i paprekur, një kafshatë e merrni ju. Diskutoni këtu për porte të rinj, për 400 mln euro investim. Por çfarë portesh keni ju sot? Portin e Limionit ia keni dhënë oligarkëve, Portin e Durrësit ia dhatë nuk dihet se kujt por e keni fshehur pas Alabbar, portin e Vlorës e keni dhënë për resorte.

Çfarë portesh menaxhon ky shtet, kjo qeveri. Aeroportet i keni dhënë me kohë, rrugët që u bënë në kohën e PD-së nuk janë më falas, i keni bërë me pagesë, siç e bëtë me rrugën e Kombit dhe keni propozuar me çdo rrugë. Më i shtrembër sistemi arsimor në Shqipëri se sa kulla e Pizës. Ju nxori në fund, në shëndetësi 4 komisione kemi kërkuar për të hetuar ne 3 prej tyre janë në SPAK, të trija nuk prodhojnë cilësi për shërbimin e qytetarëve por miliona euro për oligarkët dhe pasurojnë një grusht njerëzisht, ndaj ju duhet edhe një gardë personale, me drejtues personal që t’ju ruajë për shkak të këtyre aferave.

Sepse ju taksoni 8% oligarkët dhe 23% profesionet e lira, paratë që duhet të marrin fermerët i kanë marrë drejtuesit dhe familjarët e Rilindjes në çdo cep. Në çdo cep dhe sektor keni ndërtuar një shtet personal, i cili i shërben vetëm autokratit, për këtë arsye ju duhet edhe Grada e Republikës, me drejtues që abuzojnë me ligjin për t’i shërbyer drejtpërdrejt interesave pushtet. Jemi kundër këtij projektligji dhe do të votojmë kundër.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re