Në një raport të Institutit të Studimeve politike, ISP, ngrihet shqetësimi për gjuhën e ulët të përdorur gjatë seancave plenare nga deputetët dhe kryeministri, në Kuvendin e Shqipërisë.

Në raport, ndër të tjera thuhet se deklarata të tilla në shkelje të Kodit të e Etikës janë “dëshmi e paaftësisë së elitës politike për të prodhuar politikë, e nivelit të lartë korruptiv dhe e kulturës së denigrimit që vjen ndesh me kulturën e shtetit, të alternativës dhe të konkurrencës demokratike.”.

Sipas ISP, arsyeja kryesore lidhet me faktin se bartësit kryesorë të ligjërimit denigrues janë vetë drejtuesit kryesorë të partive politike, pra individët që duhet të ishin edhe garantues të zbatimit integral të Kodit të Sjelljes.

Po ashtu, ISP shpreh shqetësimin se praktikat diskriminuese, ligjërimi fyes e denigrues është kthyer tashmë jo vetëm normë në komunikimin parlamentar të së enjtes, por edhe normë në komunikimin e institucioneve në raport me publikun.

Gjithashtu, ISP apelon Kuvendin e Shqipërisë, por edhe autoritetet e tjera, përfshirë Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, të ndërmarrin hapat ligjorë të parashikuar në Rregulloret dhe legjislacionin përkatës, për të ndikuar në dhënien fund të retorikës fyese dhe diskriminuese, dhe për respektimin e parimeve të Kodit të Sjelljes në parlament, në institucione dhe në aktivitetin politik apo administrativ jashtë tyre.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re