Dy vajza të reja kanë pësuar një aksident tragjik mbrëmjen e djeshme, ku për pasojë njëra prej tyre ka ndërruar jetë. Viktima, 18 vjeçare, ishte një vajzë shqiptare që jetonte në Castelmassa, e identifikuar në median e shtetit fqinj si Bianka Papushallaj.
Siç raporton Corrieredelvento, 18 vjeçarja ishte në sediljen e pasagjerit me mikeshën e saj 31 vjeçare, e identifikuar si Sara Piccinini, e cila drejtonte një makinë të vogël Peugeot 208. Për arsye që priten të zbardhen nga hetimit, 31 vjeçarja ka humbur kontrollin e automjetit dhe ka dalë nga rruga duke u përplasur me një pemë.
Autoritetet u njoftuan nga një banor i zonës. Kur urgjenca mbërriti në vendin e ngjarjes, nuk kishte më gjë për të bërë për 18 vjeçaren. Bianka kishte ndërruar jetë. Shtetasja italiane ndërkohë, u dërgua në spitalin e Veronës në gjendje të rëndë shëndetësore.
Siç shkruan media italiane, 18 vjeçarja studionte në institutin e artit në Castelmassa. Familja e saj kishte mbërritur në Itali gjatë viteve ’90, si shumë shqiptarë të tjerë. Veç studimeve, gjatë verës 18 vjeçarja kishte nisur edhe punë.
Ndërkohë 31 vjeçarja italiane nuk kishte shumë kohë që ishte transferuar në Castelmassa me të shoqin.
