Të paktën 5 persona kanë humbur jetën në Itali për shkak të kushteve të këqija të motit.

Moti me shi dhe erë të fortë që ka përfshirë të gjithë vendin ka shkaktuar përmbytje dhe vërshime, kryesisht në rajonet Toskana dhe Veneto.

Kreu i administratës rajonale Toskana, Eugenio Giani, në një deklaratë në median sociale theksoi se deri më tani 5 persona kanë humbur jetën në përmbytjet dhe vërshimet si pasojë e shirave ekstreme në rajon.

Giani, bëri të ditur se ka biseduar me kryeministren Giorgia Meloni, se në Këshillin e Ministrave që do mbahet sot në Toskana do të shpallet “gjendje e jashtëzakonshme” dhe se presidenti Sergio Mattarella e ka telefonuar dhe i ka shprehur solidaritetin e tij.

Edhe në lajmet në mediat italiane, njoftohet se u shpëtua një person i cili ishte raportuar më parë i zhdukur në rajonin Toskana, ndërsa vazhdojnë punimet e kërkim-shpëtimit për një person të zhdukur në rajonin Veneto.

Nga ana tjetër, në një deklaratë me shkrim nga kryeministria thuhet se Kryeministrja Giorgia Meloni, po ndjek zhvillimet me shqetësim kryesisht lidhur me katastrofën që ka goditur Toskanën. “Qeveria e shpreh ngushëllimet e thella për personat që kanë humbur jetën. Kryeministrja Meloni ndodhet në kontakt të vazhdueshëm me ministrin për mbrojtjen civile dhe politikat detare, Nello Musumeci, kreun e mbrojtjes civile, Fabrizio Curcio dhe kreun e administratës rajonale, Eugenio Giani”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë në një postim të bërë nga llogaria X e Ministrisë italiane të Mbrojtjes thuhet se njësive të ushtrisë i është dhënë udhëzim që të ndihmojnë rajonet e prekura nga përmbytjet.

Matteo Biffoni, kreu i bashkisë së qytetit Prato në rajonin Toskana që është prekur më së shumti nga përmbytjet, ka deklaruar se kushtet e motit do të përkeqësohen dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos dalin jashtë.

Për shkak të kushteve të këqija të motit, janë ndërprerë udhëtimet e trageteve mes ishujve Sardenjë të Italisë dhe Korsikë të Francës, si dhe transporti në ishullin Elba në zonën e Toskanës me Italinë.

Po ashtu njoftohet se është ndërprerë energjia elektrike për 40 mijë persona në Toskana.

Për shkak të vërshimit të lumit Bisenzio shumë toka bujqësore dhe vendbanime në rajon kanë mbetur nën ujë, ndërsa janë ndërprerë edhe udhëtimet hekurudhore mes qyteteve Prato dhe Pistoia.

Gjithashtu, për shkak të rrezikut të përmbytjes u bënë ndryshime në rrugët e shërbimeve të transportit publik që kalonin në pikat afër lumit Seveso në Milano, qytetin kryesor në rajonin e Lombardisë në veri.

Si pasojë e kushteve të këqija të motit që prekin vendin, si masë paraprake u pezullua mësimi për ditën e premte në shumë qytete dhe qyteza në rajonet Toskana, Veneto, Friuli-Venezia Giulia, Campania, Liguria.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re