Koalicioni i qendrës së majtë në Itali doli fitues në zgjedhjet lokale, sipas sondazheve të së hënës, duke triumfuar në Milano, Napoli dhe Bolonjë, ku kandidatët e tyre për kryetarë bashkie fituan në raundin e parë.

Zgjedhjet lokale në Itali u mbajtën në 3-4 tetor për këshillat dhe kryetarët e bashkive. Ndër 1.154 komunat e përfshira ishin qytetet më të rëndësishme në Itali, si Roma, Milano, Napoli, Bolonja, Torino dhe rajoni i Kalabrisë, i cili duhej të zgjidhte një guvernator të ri pas vdekjes së atij të mëparshmit, Jole Santelli, tetorin e kaluar.

Më shumë se 12 milionë qytetarë kishin të drejtë vote, por vetëm 54,7 për qind dolën në votime në qytetet kryesore. Niveli ishte edhe më i ulët në Milano, ku pjesëmarrja ishte 47,69 për qind. Në Romë ishte 48,83 për qind, në Torino 48,6 për qind dhe në Napoli 47,18 për qind.

Votimi u mbajt gjithashtu në kryeqytetin Romë, ku do të shkohet në raundin e dytë i cili do të zhvillohet më 17 dhe 18 tetor.

Dy kundërshtarë, Roberto Gualtieri dhe Enrico Michetti, do të konkurrojnë për ulësen më të lartë të qytetit. E njëjta gjë do të ndodhë në Torino, ku në balotazh do të përballen kandidati i qendrës së majtë, Stefano Lo Russo dhe kandidati i qendrës së djathtë, Paolo Damilano.

Në qytetin e dytë më të madh, Milano, kryebashkiaku aktual Beppe Sala, i cili ka qenë në detyrë për pesë vitet e fundit, u rizgjodh në raundin e parë kundër kandidatit të qendrës së djathtë, pediatrit Luca Bernardo.

E njëjta gjë ndodhi në Bolonjë, ku Matteo Lepore, përfaqësuesi i Partisë Demokratike, partia më e madhe e qendrës së majtë, fitoi kundër Fabio Battistini, dhe në Napoli Gaetano Manfredi mundi kandidatin e qendrës së djathtë Catello Maresca.

Në Kalabri, ku partitë dhe listat e majta u ndanë, kandidati i qendrës së djathtë Roberto Occhiuto mori më shumë se 50 për qind të votave, kështu që ai është guvernatori i ri i rajonit jugor.

Përveç bashkive të lartpërmendura dhe rajonit të Kalabrisë, një test i rëndësishëm ishte nga zgjedhjet në dy rrethe për Dhomën e Deputetëve. Në njërën prej tyre, Siena, kryetari i Partisë Demokratike dhe ish-kryeministri Enrico Letta arriti të fitojë dhe ai tani është anëtar i parlamentit italian.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re