Rajoni jugor italian i Campania-s ka nënshkruar një marrëveshje mbi blerjen e vaksinës ruse Sputnik V, njoftoi guvernatori i këtij rajoni dhe shtoi se marrëveshja do të hyjë në fuqi sa më shpejt që vaksina të miratohet në Evropë.

“Ne kemi nënshkruar marrëveshjen pas disa javësh negociatash … pritet miratimi i Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) dhe rregullatorit Italian (AIFA),” tha guvernatori Vincenzo De Luca.

Campania është një nga rajonet më të populluara në Itali me rreth 5.8 milion banorë.

Që nga fillimi i pandemisë, në shkurt të vitit të kaluar, ajo ka qenë një nga zonat më të goditura me më shumë se 320,000 raste të konfirmuara të koronavirusit, raporton Reuters.

“Sapo të vaksinojmë qytetarët tanë, ne do të ofrojmë doza që nuk na duhen për pjesën tjetër të Italisë,” shtoi De Luca.

Mario Draghi, thirrje për kujdes

EMA filloi studimin e të dhënave për vaksinën Sputnik V, e cila u miratua në Rusi në gusht 2020, më herët në mars, përpara se të mbërrinin rezultatet e plota të provave klinike.

EMA ka miratuar deri më tani katër vaksina në Bashkimin Evropian dhe vonesat në dërgesat e këtyre vaksinave kanë penguar fushatat e vaksinimit në disa shtete anëtare të BE.

“Nëse gjithçka shkon mirë, Sputnik V nuk do të jetë në dispozicion deri në gjysmën e dytë të vitit,” tha të premten kryeministri Mario Draghi.

“Unë do të isha i kujdesshëm kur nënshkruaja marrëveshje të tilla,” shtoi ai kur u pyet në lidhje me marrëveshjen e arritur nga Campania.

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re