Studentët në Itali kanë zbritur nëpër sheshet e qyteteve të ndryshme të vendit dhe kanë protestuar kundër politikave të qeverisë së koalicionit të djathtë për arsimin.

Kryesisht në kryeqytetin e Romës dhe në qytete të mëdha si Milano, Torino, Firenze, Bologna, Genova dhe Verona, studentët mbajtën marshim protestues me sloganin “Tani vendosim ne”.

Studentët protestuan kundër planeve të reformës në arsim të qeverisë së koalicionit të djathtë nën kryesimin e Giorgia Melonit.

Ata reaguan duke mbrojtur idenë se paketa e reformës që parashikon qeveria do të nënkuptojë privatizimin e shkollave shtetërore.

Disa studentë gjatë marshimit të tyre protestues mbajtën pankarta kundër luftës dhe që shprehnin reagim edhe ndaj kostos së lartë të jetesës.

Ndërkaq, edhe në Milano, qytetin e dytë më të madh të vendit, protesta e studentëve u mbajt si aktiviteti “No Meloni Day”.

Shtypi italian ka shkruar se në protestat e përhapura në 30 qytete morën pjesë rreth 100 mijë studentë.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re