Italia ka kritikuar marrëveshjen e re midis Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian për automjetet me motorë me djegie të brendshme, raportojnë mediat lokale.

Agjencia shtetërore e lajmeve ANSA raportoi se marrëveshja lejon vazhdimin e shitjes së makinave me motorë me djegie të brendshme pas vitit 2035 nëse ato përdorin ekskluzivisht lëndë djegëse sintetike pa karbon dhe se Ministri i Mjedisit Pichetto Fratin tha se Komisioni Evropian nuk e kishte marrë parasysh derogimin për biokarburantet që kërkoi Italia, raporton Anatolia.

“Shpresojmë që Evropa të mos rezultojë e paarsyeshme dhe e shurdhër ndaj thirrjeve që vijnë nga një vend i përkushtuar për të përmbushur objektivat që do të bëjnë që Evropa të jetë një kontinent neutral energjetik deri në vitin 2050”, shtoi Fratin.

Thirrje për mbrojtjen e mjedisit

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Infrastrukturës Matteo Salvini i bëri thirrje BE-së që të përfshijë biokarburantet midis karburanteve të gjelbër.

“Qëllimi ynë është të mbrojmë mjedisin dhe të shpëtojmë mijëra vende pune dhe kompani, në Itali dhe Evropë, në vend që të dorëzohemi në Kinë. Loja nuk ka përfunduar ende”, tha Salvini.

Luca Squeri i partisë Forza Italia e quajti marrëveshjen thjesht të papranueshme.

“Është një marrëveshje që është e destinuar të dëmtojë jo vetëm Italinë, por të gjithë Evropën”, tha Squeri.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re