Për shkak të parandalimit të përhapjes së koronavirusit, qeveria ka
marrë vendimin drastik për të mbyllur shkollat dhe universitetet.

Vendimi është marrë sot nga takimi midis kryeministrit Giuseppe Conte
dhe ministrave, raporton Ansa. Krahas kësaj, italianët do të duhet të
ndryshojnë stilin e jetës së tyre për të paktën 30 ditë. Asnjë shtrëngim
duarsh, asnjë përqafim, asnjë grumbillim, madje edhe ato sportive.

Qeveria italiane ka diskutuar marrjen e një sërë masash për të
luftuar koronavirusin. Deri tani janë shënuar 2.263 të prekur me
koronavirus dhe 79 viktima, duke rritur edhe më shumë frikën nga
sëmundja që po përhapet me shpejtësi e po merr jetë njerëzish.

Në kuadër të masave është këshilluar shmangia e grumbullimeve për 30
ditë, përfshirë aktivitetet sportive. Ndërkohë që njerëzit mbi 75 vjeç
dhe personat mbi 65 që kanë patologji apo sëmundje të tjera u kërkohet
të mos shkojnë në vende të mbushura me njerëz, mundësisht të rrinë në
shtëpi.

Gjithashtu njerëzve u rekomandohet që të shmangin përqafimet dhe
shtrëngimet e duarve, kur është e mundur, dhe të mbajnë një distancë
prej një metri nga njerëzit e tjerë. Masat do të kenë një shtrirje prej
30 ditësh, por duhet të rivlerësohen çdo dy javë.

Këshillë e vlefshme është të hiqni bizhutë gjatë larjes së duarve,
pasi prania e tyre e pengon procesin. Kërkohet kufizim i qëndrimit të të
afërmve të të sëmurëve në dhomat e pritjes në urgjencat mjekësore, po
ashtu edhe i familjarëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re