Nga fshati i izoluar të Ginostra-s, në ishullin e vogël italian të Strombolit, mbërrin  një lajm që sfidon logjikën e numrave dhe tregut: rihapja e shkollës fillore pas dy dekadash heshtje. E veçanta e këtij institucioni nuk është luksi apo teknologjia, por fakti se dyert e saj do të hapen për vetëm një nxënëse dhe një mësues.

Vajza gjashtëvjeçare, fëmija i një familjeje që ka zgjedhur të jetojë në këtë cep të largët të arkipelagut Aeolian, do të jetë e vetmja që do të ulet në bankat e një shkolle që dikur ishte mbyllur pikërisht për mungesë nxënësish.

Ky vendim i autoriteteve italiane, i miratuar nga bordi rajonal shkollor i Siçilisë, vjen si një akt qëndrese ndaj shpopullimit. Ndonëse ligji italian, kërkon zakonisht të paktën 15 nxënës për të formuar një klasë, për zonat e izoluara dhe ishujt e vegjël bëhen përjashtime.

Në Ginostra, ku dimri gjen vetëm tridhjetë banorë dhe ku energjia elektrike mbërriti vetëm në vitin 2003, investimi tek një nxënëse e vetme, shihet si një mjet për të mbajtur gjallë komunitetin dhe për të garantuar të drejtën kushtetuese për arsim, pavarësisht kostove ekonomike.

Kontrasti i dhimbshëm me realitetin shqiptar

Ndërsa Italia bën përpjekje titanike për të mbajtur hapur një shkollë për një individ të vetëm, në Shqipëri realiteti është diametralisht i kundërt dhe i zymtë. Çdo shtator, harta arsimore e vendit tonë tkurret me ritme alarmante.

Dhjetëra shkolla, kryesisht në zonat rurale dhe malore, mbyllen vit pas viti për shkak të rënies drastike të numrit të nxënësve, duke i lënë fshatrat pa “zemrën” e tyre kulturore dhe sociale. Logjika e “leverdisë” dhe mungesa e politikave mbrojtëse për zonat në rrezik shpopullimi, kanë çuar në braktisjen e godinave shkollore. Aty ku dikur gjëmonin zërat e qindra fëmijëve, sot ka vetëm drynë dhe dritare të thyera.

Përballë faktit të kryer të mbylljes së shkollës lokale, prindërit detyrohen ose të nisin fëmijët në udhëtime të gjata e të rrezikshme drejt qendrave urbane ose të braktisin përfundimisht fshatin për t’u shpërngulur drejt Tiranës apo emigruar jashtë vendit.

Ky kontrast midis Ginostra-s italiane dhe fshatrave tona është një thirrje për reflektim. Nëse Italia e sheh një nxënës si arsye të mjaftueshme për të mbajtur ndezur dritën e një shkolle, në Shqipëri, mbyllja e shkollave shihet shpesh si një proces “natyral” i tranzicionit.

Megjithatë, përvoja italiane na tregon se mbyllja e shkollës është vula përfundimtare e vdekjes së një komuniteti. Pa shkollë nuk ka të ardhme, dhe pa një politikë që guxon të mbështesë edhe “nxënësin e fundit”, zonat tona rurale rrezikojnë të mbeten vetëm pika në hartë, pa jetë dhe pa zë./tesheshi/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re