ITALI– Një 22-vjeçar shqiptar është vrarë me armë zjarri mbrëmjen e 9 majit në Sinalunga të Italisë. Sipas mediave vendase, ngjarja ka ndodhur në një rrugicë disa metra larg sheshit kryesor të fshatit.

I riu shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, u qëllua me pistoletë nga një 34-vjeçar italian, dhe plumbi e kapi në qafë. Për pasojë, 22-vjeçari ndërroi jetë disa minuta më vonë.

Në vendngjarje shkuan menjëherë forcat e policisë, të cilat bënë të mundur ndalimin e një personi të dyshuar si autor i vrasjes. Ai është një 34-vjeçar me origjinë nga Sardenja dhe banues në Arezzo. I dyshuari u kap disa metra larg skenës së krimit.

Sipas hetimeve paraprake, shqiptari kishte shkuar në Sinalunga për darkë në shtëpinë e disa miqve të tij. Policia thotë se 22-vjeçari doli nga banesa ku ndodhej për darkë, pasi e thërriti autori i dyshuar. Mendohet se shqiptari u nxorr në pritë nga autori, i cili më pas e qëlloi me armë zjarri.

Paraprakisht dyshohet se ngjarja ka ndodhur për larje hesapesh.

(BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re