Është vetëdorëzuar autori i plagosjes së trefishtë Altin Mergjyshi (Deda). Burime bëjnë me dije se 40-vjeçari ka shkuar vetë në polici ku po merret në pyetje nga hetuesit në lidhje me ngjarjen e rëndë në Laprakë.

 

Ndërkohë më heret efektivë të Komisariatit nr. 3 kanë marrë dëshmitë e 2 prej të plagosurve mbrëmjen e djeshme, 40-vjeçares Roxhersa Rrapollari dhe bashkëshortit të saj italian, për të zbuluar dinamikën dhe motivet e ngjarjes. Ata kanë treguar se autori Altin  Mergjyshi (Deda) sapo kishte shkuar te lokali ku ndodheshin, fillimisht ka debatuar me italianin duke i kërkuar llogari pse e kishte hequr nga puna.

 

Në debat e sipër ka nxjerr thikën dhe ka plagosur fillimisht 64-vjeçarin Viktor Rrapollari, pasi ka dashur të ndërhyjë për të qetësuar situatën. Sipas dëshmisë së vajzës së tij, ka treguar se kur ka parë të atin të plagosur ka ndërhyrë dhe në këtë çast agresori e ka qëlluar në dorë.

 

Më pas Mergjyshi ka plagosur në kraharor italianin Massimo Sorvillo. 47-vjeçari italian ka marrë automjetin e tij me targa italiane dhe ka shkuar vetë në Spitalin e Traumës bashkë me bashkëshorten dhe babain e saj.

 

Dëshmia e 64-vjeçarit Viktor Rrapollari nuk është marrë ende nga grupi hetimor pasi është në gjendje më të rëndë se dy të plagosurit e tjerë. Janë pyetur gjithashtu edhe familjarët e autorit të cilët kanë pretenduar se italiani i kishte para borxh Mergjyshit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re