Presidenti brazilian Jair Bolsonaro, i cilësuar ndryshe si “Trump”-i i Amerikës Latine, ka zemëruar publikun duke këmbëngulur që numri i rasteve të COVID-19 është fryrë për qëllime politike, duke thënë: “Disa njerëz do të vdesin. Më vjen keq. Kjo është jeta”.

Bolsonaro po përballet me kritika për trajtimin e dobët të krizës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, të cilën ai e quajti një mashtrim mediatik.

Të premten pasdite, kur numri i vdekjeve u rrit në 92 në Brazil, ai i tha televizionit shtetëror vendas se dyshonte se këto shifra ishin të fryra nga rivalët politikë dhe dënoi panikun nga virusi.

“Ju nuk mund të mbyllni një fabrikë automjetesh sepse njerëzit vdesin në aksidente trafiku,” tha Bolsonaro.

Ky avokat i ekstremit të djathtë për heqjen e masave të rrepta karantinë në shtetet në Amerikën e Jugut po përballet me kritika të mëdha nga një pjesë e medias e dhe politikanë të tjerë.

Një nga ata është dhe shkrimtari brazilian Ruy Castro.

Ky i fundit thotë se çdo anëtar i qeverisë që, me veprimet ose fjalët e tij, kundërshtoi politikën e distancës sociale dhe ndihmoi në përhapjen e virusit, do të duhet të paguajë çmimin.

“Nuk është e drejtë ta quash Bolsonaron si të papërgjegjshëm. Ai është më përgjegjësi për gjithçka që po ndodh në Brazil dhe do të duhet të përgjigjet për këtë,” përfundoi Castro.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re