16-vjeçari Mikel Berati ka mbetur i plagosur në një aksident që ka ndodhur 3 ditë më parë në zonën e Shkozës në Tiranë. Gjendja e tij nuk ka qenë e mirë, dhe pritet që ti nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale në spitalin e Traumës në Tiranë.

Babai i tij Alfred Berati dyshon se personi qe ka aksidentuar djalin e tij është efektiv policie. Gjatë një interviste për Fax News, ai tha se shoferi i mjetit që është përplasur me djalin e tij nuk është ndaluar nga ana e policisë, dhe madje pretendon se ia ka kërcënuar të birin.

Duhet thënë se i mituri ka qenë duke e drejtuar mjetin pa leje në momentin e aksidentit, ndërkohë që babai i tij kërkon ndihmë financiare për trajtimin mjekësor.

“Djalin e ka kërcënuar pas aksidentit, më kanë thënë që është punonjës policie ai që e ka përplasur, por nuk e di. Djali ka nevojë që të operohet, ne kemi nevojë për para, se vuajmë për bukë. Nuk dua të çoj njeri në burg, por ai duhet të ishte sot këtu. Operacionin nuk e kanë bërë sepse ishin ditët e festave, me mjekun fola ishte njeri i mirë”, u shpreh Alfred Berati./faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re