Halit Valteri, deputet i ardhur në Parlament si përfaqësues i opozitës së re nga listat e PD, tashmë kandidat i PS për Tiranën, thotë se ndjenë keqardhje për partinë ku militoi që fëmijë.

Sot PD është e kapur nga 5 njerëz të cilët nuk mbrojnë më interesat e qytetarëve, u shpreh sot Valteri krah kryebashkiakut Erion Veliaj. “E imagjinon t’ia lësh Petrit Vasilit, apo Fatmir Mediut rindërtimin e vendit; Dashamir Shehit e Nard Ndokës pandeminë?! Është tmerr”, tha deputeti ndër të tjera.

“Sot ndjej keqardhje për partinë ku që fëmijë militova. Unë vazhdoj të jem i djathtë, nuk do të thotë që i jam bashkuar PS dhe ndryshoj mendimet e mia. Kjo është e bukura e këtij ekipi, që ka gjithëpërfshirje dhe i pranon të gjithë që me mendimet e tyre të bëjnë luftën e tyre, ashtu siç dinë ta bëjnë dhe t’i bashkohen rrugëtimit tonë.

Ndjej keqardhje edhe për shëmtinë se si e kanë katandisur atë parti, një parti ku ka pasur djem e vajza të mrekullueshëm të cilat bashkëjetonin me njëri-tjetrin, ndërmerrnin nisma shumë të bukura opozitare, protestonim kudo ku mendonim që duhet të ishim një zë i fortë për të mbrojtur interesat e qytetarëve.

Sot po ndodh një problem shumë i madh. PD është një aset kombëtar, është një aset i vlefshëm për të gjithë shqiptarët, por sot është kapur nga 5 njerëz. Është kapur nga njerëzit të cilët 8 vite qeverisën me Berishën ku kemi parë skandale nga më të ndryshmet, – janë bërë dhe filma hollivudi për këta personazhe – dhe sot blejnë vendet me mundin dhe djersën e demokratëve, pa program, pa ide dhe pa vizion për Shqipërinë,” u shpreh Valteri.

Ai ka rrëfyer gjithashtu se si e priti ftesën për të qenë pjesë e listës së PS dhe tha edhe pse beson tashmë se Partia Socialiste është e vetmja forcë që mund të drejtojë vendin drejt të ardhmes që ai ka projektuar për vajzën e tij dhe të gjithë fëmijët e këtij vendi.

“I jam bashkuar Partisë Socialiste pas ftesës së Kryeministrit Rama për të qenë pjesë e një ekipi që punët që janë lënë për tu bërë t’i çojmë përpara, mos të jemi bllokadë për ato punë që janë për të bërë. Jemi në mes të pandemisë, në mes të rindërtimit. E imagjinon t’ia lësh Petrit Vasilit, apo Fatmir Mediut rindërtimin e vendit; Dashamir Shehit e Nard Ndokës pandeminë?! Është tmerr!

Një nga arsyet më të forta që më bëri të marr këtë vendim është vajza ime Hera, sepse Hera, Kajani, Pirro, Grejsi duhet të rriten në këtë vend. Nëse unë punoj fort që fëmijët tanë të rritën në këtë vend, atëherë duhet të vazhdojmë programin e nisur nga kjo qeveri.

Nëse duam të marrim valixhet, të largohemi dhe t’ia besojmë Monikës me shokë vendin, atëherë fëmija im nuk do të ketë një të ardhme të sigurt. Kam qenë nga ata njerëz që kam protestuar fort te Parku i Liqenit. Ashtu donte partia, ashtu mendonte partia, se ky është problemi ynë, mendon partia dhe turremi të gjithë atje, por sot vajza ime me nonën shkon atje dhe ka shumë si unë që mendojnë që ka qenë gabim.

Për interesat e kunatit, baxhanakut apo kushëririt nuk mund të çohemi dhe të bllokojmë. Shqipëria ka nevojë për t’i çuar punët përpara, ka nevojë për progres dhe jo regres 30 vite pas,” deklaroi deputeti i Kuvendit që garon për një mandat të ri në 25 prill nën siglën e Partisë Socialiste.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re