Ish-zëvendësministri i Arsimit Taulant Muka ka qenë sot në protestën që po mbahet përpara Kuvendit, ku ka dhënë mbështetjen e tij për studentët.

Muka u shpreh se për të realizuar Reformën në Arsim, duhen larguar nga drejtimi dekanët dhe rektorët e Universiteteve.

Muka tha se duhet të ketë dhe një hetim për plagjiaturat që ai ka bërë publike ditët e fundit, ndërsa shtoi se ky vullnet deri tani ka munguar.

“Kjo është rinia që do vendosë standardin e ri në arsim. Sovrani sot janë negociatat, që të bësh sot reformën duhet të shkarkosh dekanët dhe pedagogët, të cilët kanë miliona euro pasuri.

Vetëm pedagogët që kërkojnë veting për veten kanë të drejtë që të nisin Reformën në Arsim. Ku kanë shkuar paratë që janë dhënë për konviktet?

Plagjiaturat që unë kam denoncuar, janë lënë në hije dhe nuk ka pasur asnjë hetim për këtë. Pse nuk janë hequr ata nga pozicionet publike që mbajnë. Të mashtrosh që ke diplomë dhe të mos e nxjerrësh… Unë shoh vetëm bashkim te studentët, nuk shoh përçarje, nuk ka të bëjë numri, ka të bëjë kauza.

Fakti që Fakultetet janë bosh është akti më i pastër, unë ju bëj thirrje prindërve dhe qytetarëve shqiptarë që t’iu bashkohen studentëve. Është shumë gjë e mirë që kjo protestë nuk ka një kryesues, studentët e dinë shumë mirë se çfarë janë duke bërë”, u shpreh Muka për fax news.

Ai shtoi se shumë shpejt me ndihmën e një studio avokatie do të paraqesë në prokurori plagjiaturat që ai ka zbuluar, duke e kthyer çështjen tashmë në ligjore, dhe jo vetëm morale.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re