“Datën 6 maj të 2018-tës do ta kujtojë përherë. Jo pse e lidh ndonjë kujtim i bukur, por për shkak se u gjend para një situate që kurrë nuk ka besuar se do i ndodhte”. Shprehet kështu hoxha i fshatit Vrellë të Istogut, Arben Dreshaj i cili gjeti një fëmijë të braktisur mbi veturën e tij pasi fali sabahun.

Hoxha tregon për tesheshi.com se si u ndje në momentin e parë kur e pa foshnjën e braktisur, ç’mendoi se kishte në pako, si ishte gjendja e foshnjës, pse ishte adresa ai, e gjëra tjera lidhur me këtë rast tejet të dhimbshëm.

Intervistoi: Blendi Gashi

Ditë më parë pasi falët namazin e sabahut, mbi veturën tuaj gjetët një pako që fatkeqësisht në të gjendej një fëmijë i braktisur. Ç’menduat në momentin e parë se mund të kishte brenda?

Me datën 6 maj në mëngjes pas faljes së Sabahut në xhaminë e fshatit Vrellë, komuna e Istogut, aty ku unë jam imam, kur dola jashtë xhamie, diku rreth orës 5 e 15 minuta e gjeta një pako mbi veturën time, të parkuar te dera e oborrit të xhamisë. Në fillim më shkoj mendja mos është pako e ndihmave, por pastaj e zbulova ngadalë, sepse në anën e sipërme pakoja ishte e hapur por e mbështjellë me batanije. Kur e zbulova gjeta një foshnjë të posalindur që lëvizte ngadalë, por nuk qajke.

Si u ndjetë kur u afruat afër dhe pa se gjendej një fëmijë i sapolindur? Na përshkruani pak atë moment? Ç’menduat? Do e kujtoni përherë atë ditë?

Ndjeva një lloj habie dhe nuk vonova dhe i thirra policinë dhe i lajmërova për rastin.  Zoti më udhëzoi që të ndihem përgjegjës se si të veproj në atë moment, pra që t’i thërras policinë. Tanimë pas kësaj ndodhie të çuditshme po rri ndërmend kjo pamje e sidomos dje dhe sot kur po shkoj ta fali Sabahun në ora 4 e 30 minuta, pastaj kur marrim parasysh edhe rastin se çka mund të fshihet pas kësaj ndodhie te pazakontë por edhe te paqartë.

A ishte brenda jush dhe një ndjenjë përgjegjësie por dhe frikë të njëjtën kohë?

Po kishte ndjenjë përgjegjësie në mua, e sa i përket frikës kisha me thanë ndoshta një lloj treme (fobi e vogël).

Pse mendoni se pikërisht adresa ishit ju ?

Mendoj se isha adresa sepse unë jam hoxhë dhe ai person apo ata persona me kanë njohur mua dhe kanë besuar që unë do ta dërgoj në vendin e sigurt, sepse ai për përkundër braktisjes ka pas edhe mëshirë që të jetoj foshnja dhe të mos lëndohet.

A keni informata si është gjendja e foshnjës aktualisht? Ku gjendet?

Tash për momentin nuk kam informata se ku gjendet foshnja, por fillimisht e kanë dërguar në Pejë. Foshnja ka qenë mirë pas trajtimit mjekësor edhe pse në fillim sa kam njohuri ka pas temperaturë të brendshme

Po ndonjë informatë se kush mund ta ketë braktisur? Ka pasur afër ndonjë kamerë që mund të ketë incizuar?

Nuk kemi informata të sigurta ende. Edhe pse kam informacione të përgjithshme por ende të paverifikuara. Kamera nuk ka pas krejt afër vendit të ngjarjes, por ka rreth e përqark fshatit dhe policia janë në kërkim e sipër.

Për fund, ç’mesazh keni për prindërit, sidomos ata të rinjtë?

Mesazhi im është që çdo njeri do të përgjigjet para Zotit për çdo veprim që e bën dhe duhet të kenë shumë kujdes se çka po veprojnë sepse shpërblimi dhe dënimi është sipas llojit të veprës, dhe siç thotë një dijetar “i mençur është ai që i nuhatë përfundimet’”, kënaqësia është momentale por vuajtja dhe mjerimi mund të na përcjellin gjatë tërë jetës së kësaj bote dhe dënimit në botën tjetër nëse nuk pendohemi dhe përmirësohemi  Zoti na udhëzoftë dhe na përforcoftë në rrugën e drejt dhe të mbarë. /tesheshi.com/

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re