Shtetasi turk Selami Simsek ka dorëzuar një padi kundrejt institucioneve shqiptare, më konkretisht Drejtorisë së Azilit dhe Shëndetësisë dhe Komisionit Kombëtar për Azilin. Të dy nën varësinë e Ministrisë së Brendshme.

Në shkresën e tij, Simsek kërkon qartë nga institucionet që të pezullojnë procedurat e nisura për deportimin e tij drejt Turqisë, ku e pret burgu.

Simsek akuzohej si pjesëmarrës në grushtin e shtetit dhe cilësohet nga autoritetet turke si ‘gylenist’. Edhe pse ai kërkoi azil politik në Shqipëri, kërkesa ndaj tij u rrëzua më 2 korrik.

Simsek u arrestua më 8 korrik të 2019-ës, për falsifikim dokumentash. Ai kërkoi që të largohej drejt Kanadasë me dokumente të falsifikuara nëpërmjet aeroportit të Rinasit. Gjatë arrestimit, atij iu sekuestrua pasaporta false. Së bashku me të u arrestua edhe mësuesi Harun Çelik, i cili u ekstradua drejt Turqisë.

Gylenisti Selami Simsek ka bërë përpjekje për të frenuar ekstradimin drejt Turqisë.

Ai i ka drejtuar një kërkesë Komisionit Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët, për të ndaluar ekstradimin. Simsek këmbëngul, se nëse ndodh ekstradimi në Turqi, atij i rrezikohet jeta.

Drejtori i Drejtorisë së Azilit dhe Shtetësisë, Sokol Sheti, së bashku me tre specialistë, firmosën shkresën, ku thuhej se Simsek nuk i përmbush kushtet për njohjen e të drejtës së azilit. Në shkresë thuhej, se ndaj këtij vendimi, mund të bëhej ankimim brenda 15 ditëve në Komisioni Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re