Përfaqësuesi ligjor i Komisionit të Rithemelimit, Ivi Kaso ka folur pas deklaratave të bëra nga Enkelejd Alibeaj, se vendimi i Gjykatës së Tiranës për njohjen e Kuvendit të 11 Dhjetorit do të apelohet.

Kaso tha se tashmë nuk ka më kryetar të komanduar të PD-së, dhe as sekretariat, dhe se i vetmi organ drejtues i ligjshëm i PDsë është Komisioni i Rithemelimit.

Ai la të hapur mundësinë që në mbledhjen që sapo ka nisur të Komisionit të Rithemelimit, të vendoset për të shkuar në selinë e PD-së.

“Ju falenderoj për punën që keni bërë sot, ka një PD zyrtare që është njohur dhe nga Gjykata, Komisioni i Rithemelimit kryen funksionin e kryetarit. Nuk ka një kryetar të komanduar, nuk ka sekretariat, pasi të gjitha këto janë vendimmarrje të datës 18 Dhjetor.

Nga fillimi i javës, do të mund që të shihni që organi i vetëm që mandatohet për të drejtuar PD-në është Komisioni i Rithemelimit, premtime që bëjnë palë të tjera, bëhen për të zvarritur kohë, dhe për të ngatërruar publikun.

Vendimi i sotëm ka zgjidhur në mënyrë të plotë çështjen juridike. Komisioni do të marrë vendimet përkatëse, të cilat do të reflektohen, do të merren vendime të rëndësishme në të mirë të të gjithë demokratëve“, tha Kaso për mediat.

Me vendimin e dhënë paraditen e kësaj të premteje në Gjykatën e Tiranës nga Agron Zhukri, tashmë PD do të ketë një statut të ri, dhe drejtimin zyrtar të kësaj force politike e ka Komisioni i Rithemelimit, i përbërë nga më shumë se 20 anëtarë.

Po ashtu sipas Gjykatës, do të njihet dhe logoja e re e PD-së, ndërsa duke iu referuar Kuvendit të 11 Dhjetorit, të gjitha strukturat aktuale të PD-së së drejtuar deri pak ditë më parë nga Lulzim Basha kanë rënë.

Përfaqësuesi ligjor i Komisionit të Rithemelimit, Ivi Kaso, tha se që nga ky moment, Gjykata njeh logon e re të PD-së, dhe njeh Komisionin si organin e vetëm drejtues të partisë më të madhe të opozitës.

Kaso u shpreh se vendimi i Gjykatës është i padiskutueshëm dhe do të duhet të zbatohet.

Duke marrë parasysh statutin e 11 Dhjetorit, asnjë nga strukturat drejtuese të PD-së nuk do të njihen, duke nisur nga kryetari deri te anëtarët e Kryesisë apo Sekretariati.

Lexo lajmin:

Sali Berisha mposht Lulzim Bashën edhe në Gjykatë, njihet Kuvendi i 11 Dhjetorit

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re