Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ka gënjyer sërish sa i takon kohës se kur do të mbërrijnë në Shqipëri testet e shpejta, duke thënë se ato do të vinë në javën në vijim, ndërsa kreu i OBSH-së për Europën, deklaroi disa ditë më parë, se ato nuk mund të mbërrijnë në Shqipëri para muajit Shkurt të 2020-tës.

Për të justifikuar vonesat në përgjigjet e testimeve, Manastirliu tha se në Francë që është një nga vendet që teston më shumë, nuk është mundur që të shmanget vala e dytë e Covidit.

“Është bërë porosia për 300 mijë teste të shpejta të antigenit, që siç e pohoi doktor Kluge 300 mijë teste do të vijnë për Shqipërinë në javët në vijim, sipas procedurës së tyre. Testimi nuk është qëllim në vetvete. Ne po bëjmë testim të targetuar, që janë persona të dyshuar, dhe më pas gjurmojmë dhe kontaktet e tyre, çka është e rëndësishme është izolimi, izolimi. Testimi është një proces që të konfirmon ty, që je pozitiv ose negativ, por pse e ka zgjedhur komiteti i ekspertëve këtë strategji, është që ne të shfrytëzojmë në mënyrë të kontrolluar kapacitetet që kemi.

Nuk kemi parë asnjë vend që testimet e kanë shpëtuar një vend nga vala e dytë. Japonia dhe Koreja e Jugut, që kanë bërë një numër të ulët testimesh, dhe kanë një ecuri shumë më të mirë të përhapjes së Covidit në krahasim me shtetet e tjera. Dhe kemi Francën që ka pasur testime agresive, dhe ndërkohë vendi është futur në një lock down të dytë. Nuk po krahasohem me vendet e BE-së, por këto vende testojnë më shumë se Shqipëria, nuk po përmend këtë, që të them se testimi nuk vlen. Por po e përsëris, që testimi nuk e bën dot diferencën në rast se nuk zbatohen masat e tjera.

Realisht mund të ketë pasur vonesa sa i takon kohës së testit, unë e di, të gjithë e kemi pranuar, nuk jemi mbyllur në godinën e Ministrisë dhe nuk e dimë se çfarë ndodh aty jashtë. Ne jemi të vetëdijshëm që ka problematika, sepse jemi në pandemi, asnjë sistem nuk është gati për ta përballur një pandemi. Duhet të ketë një balancë mes shpejtësisë së marrjes së përgjigjes së testit dhe saktësisë së rezultatit. Si mund ta vinim ne në lojë saktësimin e rezultateteve“, deklaroi Manastirliu.

Dhe siç është bërë zakon nga të gjithë qeveritarët, edhe Manastirliu gjeti rastin që ti tregojë mediave se çfarë duhet të bëjë dhe çfarë jo, kur tha se nuk transmetohen rastet që janë shëruar brenda spitaleve.

“Qytetarët që shërohen i shoqërojmë në shtëpi me autoambulanca, nuk është kjo që gjithë punën e sistemit të hidhet poshtë nga ata që duan të përfitojnë nga ky moment për të bërë politikë”, deklaroi ministrja.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re