Nga dita e hënë, Shqipëria ndërpret të gjitha fluturimet me jashtë vendit, duke u izoluar totalisht, me përjashtim të linjës “Air Albania” e cila do të fluturojë në Stamboll. Aeroporti i Tiranës, TIA, në një njoftim zyrtar sqaron se deri në një njoftim të dytë do të jenë të mbyllura të gjitha fluturimet, si dhe shton se transporti i mallrave do të vijojë. Lajmi konfirmohet edhe nga Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, që bën me dije se nga mesnata e të dielës, do të ndalohen fluturimet ajrore nga dhe për në Gjermani, Austri, Zvicër dhe Hungari.

NJOFTIMI I PLOTË:

Përditësim 14 Nga data 23 Mars 2020, ndërpriten të gjitha fluturimet, përveç kompanisë Air Albania që vazhdon të fluturojë për dhe nga Stambolli. Në përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit (COVID-19), sipas njoftimit të Autoritetit të Aviacionit Civil duke filluar nga data 23 Mars 2020, ndërpriten të gjitha fluturimet për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës deri në një njoftim të dytë. Vetëm Air Albania do të vazhdojë fluturimin për dhe nga Stambolli.

“Aeroporti mbetet i hapur për të gjitha fluturimet humanitare, fluturimet e riatdhesimit, fluturimet e ngarkesës së mallrave dhe çdo fluturim tjetër që i shërben lehtësimit dhe kapërcimit të kësaj sfide të madhe për të gjithë ne”, tha Shefi i Përgjithshëm Ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, Dr. Constantin von Alvensleben.

Për veprime të mëtejshme, këshillojmë pasagjerët që të kontaktojnë kompaninë ajrore apo agjencitë e udhëtimit. Faleminderit për bashkëpunimin, Tirana International Airport.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re