Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) tha se shumë njerëz u vranë dhe u plagosën si pasojë e bombardimit të kompleksit të OKB-së në Gaza mbrëmë, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të shtunën, UNDP-ja tha se është “thellësisht e shqetësuar nga raportimet paraprake për bombardimin e kompleksit të Kombeve të Bashkuara në qytetin e Gazës, të cilin Programi i UNDP-së për Ndihmën për Popullin Palestinez e menaxhoi deri më 13 tetor, kur stafi i OKB-së liroi objektet”.

Aty thuhet se “granatimet raportohet se kanë rezultuar në një numër të konsiderueshëm vdekjesh dhe plagosjesh”.

Më 6 nëntor, UNDP-ja raportoi se “disa qindra njerëz që kërkonin strehim kishin hyrë në kompleks dhe ka indikacione se ky numër që atëherë është rritur ndjeshëm”.

“Tragjedia e vazhdueshme e vdekjeve dhe plagosjeve të civilëve të bllokuar në këtë konflikt është e papranueshme dhe duhet të ndalet”, shtoi UNDP-ja.

Programi theksoi se “civilët, infrastruktura civile dhe paprekshmëria e objekteve të OKB-së, duhet të respektohen dhe mbrohen në çdo kohë”.

Ai gjithashtu theksoi se “e drejta ndërkombëtare humanitare, duke përfshirë parimet e dallimit, proporcionalitetit dhe masës paraprake, duhet të respektohet dhe të mbështetet”.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re