Ushtria izraelite vendosi në objektiv rrethinat e spitalit Al-Awda dhe të spitalit Indonezian në Rripin e Gazës nën bllokadë.

Siç raporton Agjencia palestineze e lajmeve WAFA, ushtria izraelite kreu sulme të ashpra në rrethinat e spitalit Indonezian në të cilin krahas të plagosurve dhe të sëmurëve janë strehuar mijëra palestinezë.

Sulmet shkaktuan dëme serioze në disa pjesë të spitalit, panik serioz mes njerëzve dhe se ka të vrarë dhe të plagosur.

Në një deklaratë nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze theksohet se ushtria izraelite bombardoi rrethinat e spitalit Al-Awda i cili ndodhet në Jabalia në veri të Rripit të Gazës.

Në sulm u plagos një punonjës vullnetar shëndetësor ndërsa kanë mbetur jashtë shërbimit edhe dy ambulanca të Gjysmëhënës së Kuqe.

Zyrtarët e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze në një deklaratë me shkrim i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërhyjë urgjentisht për të siguruar produkte mjekësore dhe karburant para se të ndodhë një “katastrofë e madhe”.

Avionët luftarakë izraelitë shënjestruan spitalin e specializuar të fëmijëve Al-Rantisi në Rripin e bllokuar të Gazës.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re