Shefi i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, i ka bërë thirrje urgjente Izraelit që të shfuqizojë ligjin e ri për dënimin me vdekje, duke e cilësuar atë si një mjet diskriminues që shkel haptazi shtyllat e ligjit ndërkombëtar.

Ky legjislacion, i cili shënjestron pothuajse ekskluzivisht palestinezët, parashikon që dënimet me vdekje të ekzekutohen brenda 90 ditëve, duke eliminuar çdo hapësirë për procese të rregullta gjyqësore apo mbrojtje njerëzore.

Turk paralajmëroi se zbatimi i këtij ligji mbi banorët e territoreve të pushtuara përbën pa asnjë dyshim, një krim lufte. Situata rëndohet edhe më shumë me propozimin për krijimin e një Gjykate Speciale Ushtarake, e cila do të merrej vetëm me ngjarjet e 7 tetorit, duke krijuar një sistem paralel drejtësie që anashkalon standardet universale.

Ndërkohë që numri i të burgosurve palestinezë ka kaluar shifrën 9.300, përfshirë qindra gra dhe fëmijë, bota po dëshmon një institucionalizim të dhunës që deri dje fshihej pas operacioneve ushtarake.

Sot, bota dhe institucionet e saj ndërkombëtare nuk duhet të ndjejnë më as “habi” dhe as “shokim” nga këto zhvillime. Sjellja e Izraelit nuk është më një incident i izoluar apo një reagim emocional, por një strategji e ftohtë dhe e mirëmenduar.

Ky vendim i fundit i Kneset-it, është thjesht vazhdimësia logjike e krimeve që po ndodhin në Gaza. Është i njëjti mentalitet që ka prodhuar gjakderdhjen e pafundme, tashmë i përkthyer në nene dhe paragrafë ligjorë.

Në fakt, ky ligj nuk sjell asgjë të re në substancë, por vetëm në formë. Ai është një “ligjërim” zyrtar i vrasjeve që kanë ndodhur prej dekadash.

Ajo që deri dje kryhej nën formulën e mjegullt dhe elastike të “ruajtjes së sigurisë” apo “eliminimit të rrezikut emergjent” në terren, sot ka marrë vulën e shtetit.

Izraeli po e thjeshton procesin: nga vrasjet pa gjyq në rrugët e Bregut Perëndimor të pushtuar, po kalon në vrasje me “bekim” ligjor, duke e bërë vdekjen një procedurë administrative.

Në këto kushte, institucionet globale nuk mund të mjaftohen më me “deklarata shqetësimi” ndaj një shteti që ka vendosur ta kthejë shkeljen e ligjit ndërkombëtar në kushtetutë të vetën.

Ky ligj është dëshmia përfundimtare se makineria e luftës në Gaza dhe sistemi ligjor në Tel Aviv ushqehen nga i njëjti burim: dehumanizimi i plotë i tjetrit. Kur vrasja kthehet në ligj, heshtja e botës pushon së qeni diplomaci. Ajo kthehet në bashkëpunim. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re