Skip to content

Izraeli godet dhe kishën e famshme të Gaza-s, tronditen grekët

Më në fund i erdhi radha dhe një kishe me nam në Gaza që të bombardohet nga Izraeli, pikërisht Shën Porfirit, një kishë ortodokse greke, e cila ka shkundur dhe median greke që deri më tani po mban kahjen e Izraelit.

U njoftua se shumë palestinezë të zhvendosur që kishin kërkuar strehim në këtë kishë në Gaza, u vranë dhe të tjerë u plagosën pas një sulmi ajror izraelit. Pra ngjashëm si në rastin e spitalit baptist.

Në një reagim nga Athina zyrtare thuhet se “mbrojtja e civilëve dhe siguria e objekteve të kultit dhe institucioneve fetare duhet të sigurohet dhe respektohet nga të gjitha anët”. Por Greqia e di fort mirë se Izraeli s’dëgjon nga ai vesh.

Media fqinje kujton se në Gaza janë afërsisht 25 persona me pasaporta greke. Disa kanë deklaruar se duan të largohen dhe janë në kontakt të vazhdueshëm me konsullatën dhe ambasadën dhe është rënë dakord që sapo të hapet Rafa të shkojnë në Egjipt. Pjesa tjetër, e lidhur kryesisht me kishën, kishin deklaruar se do të qëndronin.

Patriarkana Ortodokse e Jerusalemit dënoi “në termat më të ashpër sulmin ajror izraelit që goditi vendin e kishës në qytetin e Gazës”, sipas një deklarate në faqen e saj të internetit.

“Patriarkana nënvizon se shënjestrimi i kishave, si dhe i strehimoreve që ato ofrojnë për të mbrojtur qytetarët e pafajshëm, veçanërisht fëmijët dhe gratë që kanë humbur shtëpitë e tyre për shkak të sulmeve ajrore izraelite kundër zonave të banuara në 13 ditët e fundit, është një krim lufte dhe nuk mund të injorohet”, thuhet në deklaratë.

“Shën Porfiri” është kisha më e vjetër, ende aktive në enklavën palestineze. Ndodhet në një lagje historike të Gazës së vjetër dhe, sipas traditës, strehon reliket e Shën Porfirit, i cili ishte peshkopi i Gazës në shekullin e 5-të.

Nuk është shumë larg nga spitali al-Ahli që u godit të martën mbrëma, duke vrarë qindra njerëz.