Izraeli ka nënshkruar një kontratë me Greqinë në vlerë 400 milionë dollarë për shitjen e raketave antitank të tipit Spike, të prodhuara nga kompania izraelite e teknologjisë ushtarake Rafael, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes izraelite.

“Ky projekt është pjesë e një sërë marrëveshjesh midis Izraelit dhe Greqisë që vazhdojnë të theksojnë partneritetin e fortë midis vendeve tona dhe institucioneve ushtarake,” tha ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant, raportoi Reuters.

Ai tha se të dy vendet janë të përkushtuara së bashku për të garantuar stabilitetin rajonal.

Spike është një raketë antitank e drejtuar e përdorur nga shumë vende të BE-së dhe NATO-s.

“Raketat Spike do të forcojnë aftësitë ushtarake greke dhe ne presim të thellojmë bashkëpunimin e mëtejshëm strategjik në të ardhmen e afërt,” tha drejtori i Rafael, Joav Har-Even.

Armët edhe për Finlandën

Javën e kaluar, Izraeli dhe Rafaeli njoftuan se do t’i siguronin Finlandës sistemin e avancuar anti-ajror David Sling, pasi vendi nordik u bashkua zyrtarisht me Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut më 4 prill.

Finlanda do të marrë sisteme mbrojtëse të afta për të kapur raketa balistike dhe të lundrimit dhe do të paguajë 316 milionë euro.

Megjithatë, Helsinki do të duhet të presë miratimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat ishin të përfshira në zhvillimin e atij sistemi.

Finlanda tha se marrëveshja me Izraelin do të rriste ndjeshëm aftësitë e tij, ndërsa Izraeli e quajti atë një “hap kuantik” në bashkëpunimin e mbrojtjes midis vendeve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re