Izraeli është shprehur i shqetësuar lidhur me planet e SHBA-së për të hequr sanksionet e vendosura ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) nga ish-administrata e Donald Trump-it.

Gazeta “Jerusalem Post” tha se Washington-i, me këtë veprim, do të lejojë kryeprokuroren e GJNP-së, Fatou Bensouda, të hapë hetim të plotë mbi dyshimet e krimeve izraelite të luftës kundër palestinezëve.

E përditshmja paralajmëroi se hetimi i GJNP-së mund të “vijë me urdhra arresti për zyrtarë të shquar ushtarakë dhe diplomatikë izraelitë, të mëparshëm dhe të tanishëm”.

“Shpresojmë se mund të gjejmë gjuhë të përbashkët me administratën”, gazeta citoi një zyrtar izraelit. Zyrtari tha se çështja e GJNP-së do të jetë një nga temat kryesore që do të ngrihet me administratën e Joe Biden-it.

Kanali shtetëror KAN raportoi të dielën se GJNP-ja mund të ndihet e guximshme për të hapur një hetim mbi krimet e dyshuara të luftës të kryera nga Izraeli gjatë luftës së vitit 2014 në Rripin e Gazës.

Vendimi për të hapur hetim është pezulluar që nga dhjetori i vitit 2019 për të shmangur ballafaqimin me administratën e Trump-it, e cila vendosi sanksione ndaj GJNP-së në qershor të vitit 2020 për shkak të hetimit të saj për krimet e mundshme të luftës amerikane të kryera në Afganistan.

Në dhjetor të vitit 2019, kryeprokurorja e GJNP-së Fatou Bensouda njoftoi se gjykata ka gjetur prova të mjaftueshme për të hapur hetim mbi dyshimet e krimeve të luftës të kryera nga Izraeli kundër palestinezëve në territoret e okupuara palestineze.

Në ofensivën 51-ditore izraelite në vitin 2014, rreth 2.322 palestinezë, kryesisht civilë, u vranë, ndërsa rreth 11.000 u plagosën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re