Zyrat e Al Jazeera-s në Jerusalemin Lindor u bastisën dhe pajisjet u sekuestruan të dielën pasi Izraeli ndaloi transmetuesin me bazë në Katar, raportuan mediat izraelite.

Al Jazeera njoftoi se operatorët izraelitë të rrjetit kabllor dhe satelitor e kishin hequr kanalin nga shërbimet e tyre dhe se pajisjet e tyre televizive ishin konfiskuar. Ajo theksoi se rezervon të drejtën që “të ndërmarrë çdo hap ligjor”.

Akti i policisë erdhi pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të dielën se kabineti i tij kishte vendosur unanimisht të ndalonte Al Jazeera-n që të vepronte në Izrael.

“Kanali nxitës Al Jazeera do të mbyllet në Izrael”, njoftoi Netanyahu në rrjetet sociale.

Kabineti i Netanyahut ka mbyllur Al Jazeera-n për kohëzgjatjen e luftës në Gaza, duke argumentuar se rrjeti televiziv i Katarit kërcënon sigurinë kombëtare.

Al Jazeera e quajti lëvizjen një “akt kriminal” dhe hodhi poshtë akuzat se kërcënon sigurinë izraelite si një “gënjeshtër të rrezikshme dhe qesharake” që i vë gazetarët në rrezik. Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut kritikoi gjithashtu mbylljen.

“Na vjen keq për vendimin e qeverisë për të mbyllur Al Jazeera-n në Izrael. Një media e lirë dhe e pavarur është thelbësore për të garantuar transparencë dhe llogaridhënie. Liria e shprehjes është një e drejtë kyçe e njeriut,” tha Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Platformën X. /tesheshi.cm/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re