Autoritetet izraelite dje vonë ndaluan një aktiviste hebrejo-amerikane që të hyjë në vend pas mbërritjes së saj në aeroportin Ben Gurion të Tel Avivit.

Siç raporton gazeta izraelite “Haaretz”, Izraeli akuzon aktivisten Ariel Gold se është e lidhur me Code Pink, një organizatë joqeveritare kritike ndaj Izraelit dhe që ka lidhje me Lëvizjen “Bojkot, Shpronësim, Sanksione” (BDS), e cila kërkon bojkot ndërkombëtar ndaj mallrave izraelite derisa Izraeli të respektojë rezolutat ndërkombëtare.

Pasi Gold u mor në pyetje nga agjentët e sigurimit në aeroportin Ben Gurion, ministri izraelit i Sigurisë Publike, Gilad Erdan, deklaroi se asaj i është ndaluar hyrja në vend për shkak të lidhjeve dhe aktiviteteve të saj politike.

Ministri i Brendshëm izraelit, Arye Dery, gjithashtu urdhëroi që viza e saj studentore të hiqet, duke penguar kështu hyrjen e saj në Izrael.

Zyrtarët izraelitë e kanë cilësuar lëvizjen BDS si një “kërcënim strategjik”, pasi ajo nisi një fushatë efektive kundër mallrave të prodhuara në Izrael në përgjithësi dhe në vendbanimet e paligjshme izraelite në veçanti, shkruan aa. Lëvizja po ashtu vazhdon të ketë një prani aktive në nivelet kulturore, artistike dhe akademike.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re