Ambasadori i Palestinës në Kombet e Bashkuara (OKB), Riyad Mansour, theksoi se Izraeli duke përfituar nga pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19) ka filluar të zbatojë planet e tij të aneksimit dhe zgjerimit të njësive të vendbanimeve hebreje në territoret e Palestinës.

Mansour, lidhur me shkeljet e Izraelit i dërgoi 3 letra të ndara sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, përfaqësuesit të Përhershëm të Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya dhe presidentit të sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), Volkan Bozkır.
Në letrat e tij Mansour është shprehur se Izraeli duke përfituar nga pandemia COVID-19 po përpiqet të forcojë pushtimin e tij ushtarak, planet e tij të aneksimit dhe zgjerimit të njësive të vendbanimeve hebreje në Kudsin Lindor dhe në territoret e Palestinës.

Pezullimi i planit aneksues të Izraelit nuk nënkupton se ai do t‘i përmbahet ligjit ndërkombëtar theksoi Mansour, duke rikujtuar se qeveria e Tel Avivit të mërkurën dhe të enjten miratoi ndërtimin e rreth 5 mijë banesave të reja të paligjshme.

Mansour deklaroi se forcat izraelite kryejnë shumë shkelje, si shembjen e shtëpive të palestinezëve dhe kryerjen e sulmeve ndaj tyre dhe se qeveria pushtuese mbron kolonët radikalë hebrenj në sulmet e tyre kundër palestinezëve.

Ndër të tjera Mansour vuri në dukje se në burgjet izraelite nga rreth 5 mijë të burgosur ndodhen afërsisht 350 të burgosur administrativ.

Në lidhje me situatën ekonomike, sociale dhe humanitare në Gaza, Mansour tërhoqi vëmendjen se palestinezët ndodhen në një situatë shqetësuese për shkak se nuk mund të arrijnë qasje tek ilaçet e nevojshme për shkak të bllokadës që Izraeli zbaton në një periudhë ku janë shënuar rritje të rasteve të COVID-19.

Mansour i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që t‘i kërkojë llogari dhe jo ta shpërblejë qeverinë pushtuese duke heshtur ndaj shkeljeve të saj.

Institucioni izraelit i të drejtave të njeriut Peace Now në një deklaratë të bërë më parë kishte njoftuar se Këshilli i Lartë i Planifikimit i lidhur me Qeverinë Civile të Izraelit miratoi të mërkurën dhe të enjten ndërtimin e 4.948 banesave në Bregun Perëndimor.