Izraeli ka liruar 30 palestinezë në kuadër të marrëveshjes me grupin palestinez Hamas.

Siç raporton korrespondenti i Anadolu-t, një autobus i Kryqit të Kuq u largua nga burgu ushtarak izraelit Ofer në Bregun Perëndimor të pushtuar, me 15 gra dhe 15 fëmijë.

Më herët gjatë ditës, Hamasi publikoi emrat e të burgosurve palestinezë që do të lirohen në kuadër të marrëveshjes së shkëmbimit midis Izraelit dhe grupit palestinez.

Lista përfshinte emrat e 15 fëmijëve, respektivisht 12 nga Kudsi dhe tre nga Bregu Perëndimor, si dhe të 15 grave, respektivisht pesë nga Kudsi dhe dhjetë nga Bregu Perëndimor.

Më herët, ushtria izraelite raportoi për mbërritjen e 12 pengjeve nga Rripi i Gazës, duke përfshirë dhjetë izraelitë dhe dy tajlandez.

Kjo listë përbën grupin e pestë të të burgosurve palestinezë që lirohen nga burgjet izraelite nën një pauzë humanitare në luftimet midis Hamasit dhe Izraelit në Rripin e Gazës.

Dje, Katari njoftoi një marrëveshje për zgjatjen e pauzës edhe për dy ditë të tjera, fillimisht e arritur për katër ditë, sipas të cilës do të kryhen shkëmbime të mëtejshme të të burgosurve.

Izraeli nisi një fushatë masive ushtarake në Rripin e Gazzës pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.

Që atëherë, sipas shifrave të autoriteteve shëndetësore në Gaza, sulmet e pamëshirshme izraelite kanë vrarë mbi 15 mijë palestinezë, përfshirë të paktën 6.150 fëmijë dhe 4 mijë gra.

Numri zyrtar i të vdekurve në Izrael është rreth 1.200.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re