Ushtria izraelite mbylli dy pika kufitare me Rripin e Gazës pasi filloi procesi i votimit në zgjedhjet parlamentare në Izrael, raporton Anadolu Agency (AA).

Mbyllja e vendkalimeve Kerem Shalom dhe Erez është pjesë e vendimit për mbylljen 24-orëshe të vendosur nga Izraeli në territoret palestineze gjatë ditës së zgjedhjeve izraelite.

Mbylljet e këtilla janë praktikë standarde gjatë festave hebraike dhe zgjedhjeve, ndërsa ushtria thotë se kjo është një masë parandaluese. Të gjitha lejet e hyrjes të marra nga punëtorët palestinezë janë pezulluar gjatë mbylljes.

Ushtria izraelite tha se pikat kufitare do të rihapen “varësisht nga vlerësimi i situatës”.

Ndërkohë, Nizar Ayyash, kreu i Sindikatës së Peshkatarëve Palestinez, tha se forcat detare izraelite arrestuan katër peshkatarë palestinezë dhe kapën varkën e tyre në brigjet e Gazës për shkelje të zonës së caktuar të peshkimit.

Nuk kishte ndonjë koment nga ushtria izraelite mbi raportimin.

Peshkatarët palestinezë shpesh janë viktimë e shkeljeve të shumta izraelite, duke përfshirë përpjekjen për të fundosur varkat palestineze në det, duke gjuajtur në to, si dhe duke ngushtuar zonën e peshkimit për periudha të gjata.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re