Izraeli tha se ekzistonte një “mundësi e madhe” që gazetarja e Al Jazeera-s, Shireen Abu Akleh të ishte “goditur aksidentalisht” nga zjarri i ushtrisë izraelite, por shtoi se nuk do të nisë një hetim.

Zyrtarët izraelitë publikuan të hënën rezultatet e hetimit të tyre për vrasjen. Dëshmitarët, Al Jazeera, hetime të shumta nga Kombet e Bashkuara, grupet e të drejtave të njeriut dhe media deklaruan se Abu Akleh u vra nga një ushtar izraelit.

Në gjetjet e hetimit izraelit thuhet se ushtarët izraelitë u gjendën në mes të zjarrit të luftëtarëve palestinezë, një pretendim që nuk përputhet me pamjet nga vendi i ngjarjes.

Nuk është e mundur të përcaktohet pa mëdyshje burimi i të shtënave në të cilat Abu Akleh u qëllua dhe u vra“, thuhet në raport, duke shtuar se “mundësia” mbetet që ajo “të jetë goditur nga plumbat e gjuajtur nga sulmuesit e armatosur palestinezë”.

“Pas një hetimi të gjerë të ngjarjes dhe bazuar në të gjitha konstatimet, kryeprokurori ushtarak konstatoi se në rrethanat e rastit nuk dyshohet për kryerjen e veprës penale që justifikon fillimin e hetimit të policisë ushtarake”, thuhet në raport.

 “Nëse e bëri, e bëri gabimisht”

Në një konferencë të shkurtër për shtyp para shpalljes së rezultateve, zyrtarë të lartë të ushtrisë izraelite thanë se ishin takuar me ushtarin dhe se “nëse ai e bëri atë, e bëri gabimisht”.

Ata kanë përsëritur disa herë se janë “shumë krenarë për sjelljen e ushtarëve”, dhe se ushtarët “ishin të informuar dhe kanë vepruar në përputhje me procedurat”.

Ky veprim i Izraelit vjen pothuajse katër muaj pas vrasjes së gazetares Shireen, më 11 maj, ndërsa ajo raportonte për inkursionin e ushtrisë pushtuese në qytetin e Jeninit, në Bregun Perëndimor verior.

Ushtria izraelite ka refuzuar të marrë përgjegjësinë për vrasjen e gazetares Abu Akleh, pasi fillimisht pretendoi se ajo u vra nga persona të armatosur palestinezë.

Megjithatë, sipas koordinatorit amerikan të sigurisë, Barak Ravid, të shtënat “të paqëllimta” nga pozicionet izraelite mund të jenë përgjegjëse për vdekjen e Shireen Abu Akleh.

Dënimi palestinez

Palestinezët e dënuan këtë vlerësim, duke akuzuar Uashingtonin se mban anën e Izraelit. Presidenti amerikan Joe Biden premtoi në korrik se Shtetet e Bashkuara do të punojnë për të mbështetur një hetim të pavarur për vrasjen e gazetares së Al Jazeera-s. Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken bëri thirrje që ata që janë përgjegjës për vrasjen e Shireen të sillen para drejtësisë.

Gjashtë hetime në terren, përfshirë ato të katër mediave të njohura amerikane, konfirmuan se të shtënat që vranë Shireen erdhën nga pozicionet e pushtuara nga forcat pushtuese në Jenin.

Një hetim i Al Jazeera-s zbuloi një foto të plumbit që vrau gazetaren, me ekspertët ushtarakë që theksuan se ishin përdorur plumba antitank.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re