Qeveria izraelite ka njoftuar miratimin e marrëveshjes së aviacionit me Turqinë.

“Ne miratuam marrëveshjen për të krijuar lidhje aviacioni midis Turqisë dhe Izraelit”, tha kryeministri izraelit, Yair Lapid, në Twitter.

Lapid tha se sipas marrëveshjes, avionët izraelitë do të jenë në gjendje të ulen dhe të ngrihen nga Istanbul-i dhe destinacione të tjera në Turqi.

Duke treguar për normalizimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe Turqisë, Lapid tha se “nga marrëveshja do të përfitojnë udhëtarët izraelitë dhe aviacioni izraelit”.

“Kjo është një lëvizje e rëndësishme strategjike për stabilitet dhe prosperitet në rajon, e cila do të jetë një kontribut i rëndësishëm në përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Hapi tjetër është emërimi i ambasadorëve”, shtoi ai.

Më 17 gusht, Turqia dhe Izraeli njoftuan se do të rivendosin marrëdhënie diplomatike dhe do të riemërojnë ambasadorët dhe konsujt e njëri-tjetrit.

Është nënshkruar edhe një marrëveshje për bashkëpunim mes dy vendeve në fushën e aviacionit, sipas së cilës kompanitë ajrore turke mund të organizojnë fluturime për në Izrael.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re