Skip to content

Izraeli paralajmëron ndërtimin e 1.355 shtëpive në Bregun Perëndimor

Izraeli ka shpallur të dielën një tender për ndërtimin e 1.355 njësive të reja të banimit në vendbanimet hebreje në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Kudsin Lindor.

“Forcimi dhe zgjerimi i vendbanimeve hebreje në Jude dhe Samari është një gjë e nevojshme dhe shumë e rëndësishme në vizionin e përpjekjes sioniste. Pas një periudhe të gjatë stagnimi në ndërtim në Jude dhe Samari, mirëpres ndërtimin e mbi 1.000 njësive banesore. Do të vazhdoj të ruaj vendbanimet hebreje në Jude dhe Samari”, tha ministri izraelit i Ndërtimit dhe Strehimit, Zeev Elkin.

Ministria e Jashtme palestineze dënoi vendimin e Izraelit për të ndërtuar njësi të reja banimi.

“Izraeli insiston hapur në ndërtimin e vendbanimeve koloniale dhe zbatimin e projekteve pushtuese në vendet palestineze, duke injoruar qëndrimin e komunitetit ndërkombëtar dhe të Shteteve të Bashkuara për këtë çështje”, thuhet në deklaratë.

Sipas ligjit ndërkombëtar, Bregu Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, konsiderohet “territor i pushtuar”, duke i bërë të gjitha vendbanimet hebreje atje të paligjshme.