Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Nisma Kombëtare Palestineze, Mustafa al-Bergusi, deklaroi se Izraeli po zbaton të ashtuquajturën “Marrëveshja e Shekullit” duke zgjeruar vendbanimet kolone hebreje në Bregun Perëndimor të pushtuar.

“Është iluzion të besosh se plani i quajtur Marrëveshja e Shekullit do të shkojë së bashku me presidentin e SHBA-së Donald Trump. Ky është plani i (kryeministrit izraelit) Benjamin Netanyahu dhe lëvizjes sioniste”, tha Bergusi në një deklaratë me shkrim.

Duke vënë në dukje se Izraeli po e zbaton planin përmes normalizimit me vendet arabe dhe zgjerimit të vendbanimeve kolone, Bergusi tha se administrata e Tel Avivit ka njoftuar se do të ndërtojë rreth 25.000 njësi të reja banimi në Kudsin Lindor të pushtuar dhe zona të ndryshme të Bregut Perëndimor muajin e kaluar.

“Duke zgjeruar vendbanimet hebreje në Bregun Perëndimor të pushtuar, Izraeli po zbaton të ashtuquajturin plan paqësor të SHBA-së, Marrëveshjen e Shekullit”, deklaroi Bergusi, duke theksuar se të gjitha marrëveshjet me Izraelin duhet të shfuqizohen dhe një strategji alternative e luftës duhet të miratohet në mënyrë që të kundërshtohen vendbanimet hebreje dhe planet për të eliminuar çështjen palestineze.

Kombet e Bashkuara i konsiderojnë vendbanimet hebreje kolone të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar dhe i shohin ato si një nga pengesat kryesore për paqen dhe një zgjidhje me dy shtete.

Megjithatë, administrata amerikane ka vendosur të mos i cilësojë vendbanimet kolone në Bregun Perëndimor të pushtuar si “të paligjshme”.

Presidenti i SHBA-së Trump njoftoi të ashtuquajturën “Marrëveshja e Shekullit”, e cila u përgatit në mënyrë të njëanshme, në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin izraelit Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë më 28 janar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re