Forcat izraelite shkatërruan 3 ndërtesa palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor.

Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, forcat e ushtrisë izraelite bastisën fshatin Haris në qytetin Selfit me një numër të madh mjetesh të blinduara në orët e para të mëngjesit.

Dëshmitarët okularë thanë se shtëpia që i përket familjes së palestinezit Mohammed Suf, i cili u vra pas sulmit në vendbanimin hebre Ariel vitin e kaluar, ishte rrethuar dhe në ndërtesë ishte vendosur mjet shpërthyes.

Thuhet se ndërtesa trekatëshe, ndërtimi i së cilës ende nuk ka përfunduar, është shkatërruar plotësisht nga shpërthimi.

Forcat izraelite shkatërruan me buldozerë edhe shtëpinë dykatëshe të të burgosurit palestinez, Yunus Heylan në vendbanimin Hajj në qytetin Kalkiya.

Izraeli shkel “parimin e personalitetit të krimit”

Burimet lokale raportuan se të dyja shtëpitë u shkatërruan me arsyetimin se ishin “banesa të njerëzve që kryen sulme ndaj izraelitëve dhe shkaktuan vdekjen e tyre”.

Yunus Heylan u arrestua më 25 tetor 2022, me akuzën e therjes me thikë të një koloni hebre në vendbnamin Al-Funduk, duke shkaktuar vdekjen e tij.

Mohammed Suf u vra nga forcat izraelite më 15 nëntor 2022, pas sulmit në vendbanimin hebre Ariel, i cili rezultoi në vdekjen e 3 izraelitëve.

Izraeli kritikohet nga organizatat e së drejtës ndërkombëtare për prishjen e shtëpive nga forcat izraelite dhe dëmtimin e familjeve.

Shkatërrimi në Kudsin Lindor

Nga ana tjetër, u regjistrua se forcat izraelite, duke bastisur vendbanimin Annata të Kudsit Lindor, rrethuan një ndërtesë 6-katëshe.

Mësohet se buldozerët që i përkasin Bashkisë izraelite kanë prishur ndërtesën 6-katëshe me nga 3 apartamente në çdo kat, me arsyetimin se ishte “pa leje”.

Theksohet se kati i parë i objektit ishte në përdorim dhe katet e tjera ishin ende në ndërtim e sipër.

Izraeli shkatërron shtëpitë dhe strukturat palestineze në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor, të cilat i pushtoi në vitin 1967, me argumentin se ato janë “të palicensuara”.

Përpjekjet palestineze për të marrë licenca shpesh dështojnë për shkak të praktikave ndaluese të autoriteteve izraelite.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re