Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka nënshkruar një urdhër zyrtar që e përcakton Bankën Qendrore të Iranit dhe disa institucione të tjera financiare si organizata terroriste, nën akuzat për mbështetje të drejtpërdrejtë të terrorizmit rajonal.
Sipas deklaratës së lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes së Izraelit, vendimi është marrë me kërkesë të shërbimit të inteligjencës izraelite dhe ka për qëllim “të godasë zemrën e sistemit të financimit të terrorizmit të regjimit iranian”.
Në të njëjtën kohë, urdhri ka përfshirë në listën e zezë edhe Bankën Shahr, Bankën Mellat, si dhe kompaninë Sepehr Energy Jahan, e cila është në pronësi të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Iranit.
Përveç institucioneve financiare, në listën e re janë përfshirë edhe tre zyrtarë të lartë iranianë, të cilët janë etiketuar si “operativë terroristë” që luajnë një rol aktiv në rrjetin e financimit të Forcës Quds dhe të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, struktura të akuzuara nga Izraeli për orkestrimin e veprimtarive të armatosura në Lindjen e Mesme.
“Ky vendim i ri është një hap strategjik në luftën tonë kundër rrjeteve terroriste të Iranit që operojnë përmes aleatëve dhe grupeve të armatosura në rajon,” tha ministria izraelite, duke theksuar se këto entitete përbëjnë një “kanal financiar kyç” për mbështetjen e grupeve si Hezbollah, Hamas dhe milicitë e tjera të lidhura me Teheranin.
Banka Qendrore e Iranit është tashmë nën sanksione të rënda ndërkombëtare, përfshirë ato të Shteteve të Bashkuara, të cilat e akuzojnë për ndihmën që i ofron aktiviteteve të paligjshme të regjimit iranian.