Ushtria izraelite vazhdon të sulmojë nga ajri dhe toka Rripin e Gazës, ku jetojnë më shumë se 2 milionë njerëz.
Natën e kaluar pati bombardime intensive kundër vendbanimeve Khan Younis dhe Rafah në jug të Gazës.
Një person vdiq, 7 të tjerë u plagosën; dy palestinezë të tjerë u vranë në një sulm me raketa në një apartament në qendër të qytetit.
Që nga 10 maji janë martirizuar 221 palestinezë, 63 fëmijë dhe 36 gra; 1.500 persona të tjerë janë plagosur në sulmet e Izraelit në Gazë.
Nga ana tjetër, grupet palestineze të rezistencës vazhdojnë të hedhin raketa nga Gaza në anën izraelite. Dymbëdhjetë (12) izraelitë janë vrarë nga goditjet me raketa që nga fillimi i tensionit.
Ndërkohë, 4 palestinezë u vranë me plumba të vërtetë gjatë ndërhyrjes së forcave izraelite kundër demonstratave që mbahen në zona të ndryshme të Bregut Perëndimor të okupuar në mbështetje të palestinezëve në Rripin e Gazës.
Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze njoftoi se rreth 503 palestinezë janë plagosur me plumba të vërtetë (182), plumba gome (195), nga rrëzimi dhe djegiet (120) dhe përplasjet e shtypja (6); kurse 931 palestinezë ishin përballur me rrezikun e mbytjes nga gazi lotsjellës.
