Tre djemtë e liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh, si dhe tre nga nipërit e tij u vranë në një sulm ajror izraelit në Gaza, njoftoi agjencia e lajmeve Shebab.

Vetë Haniyeh e konfirmoi informacionin për Al Jazeera-n, duke thënë se djemtë e tij Hazem, Amir dhe Mohammad janë vrarë. Në të njëjtin sulm izraelit, shtoi ai, u vranë edhe nipërit e tij.

Udhëheqësi i Hamasit tha se sulmi ndaj familjes së tij ishte provë e “dështimit” të Izraelit, duke shtuar se ai nuk do të ndryshonte pozicionin e grupit në bisedimet indirekte të armëpushimit.

Ai theksoi se Hamasi nuk do të tërheqë kërkesat e tij, të cilat përfshijnë një armëpushim të përhershëm dhe kthimin e palestinezëve të zhvendosur në shtëpitë e tyre, duke thënë se Izraeli nuk do të jetë në gjendje t’i arrijë qëllimet e tij përmes politikës dhe negociatave.

“Nuk ka dyshim se ky armik kriminel është i shtyrë nga fryma e hakmarrjes dhe shpirti i vrasjes dhe gjakderdhjes, dhe nuk respekton asnjë standard apo ligj,” tha Haniyeh, duke shtuar se 60 anëtarë të familjes së tij janë vrarë që nga lufta. “Ne pamë që ai shkel gjithçka në tokën e Gazës. Një luftë e spastrimit etnik dhe gjenocidit po zhvillohet. Po kryhet zhvendosja masive”.

“Nëse ata mendojnë se shënjestrimi i fëmijëve të mi në kulmin e këtyre negociatave përpara se të jepet përgjigja do të bëjë që Hamasi të ndryshojë qëndrimet e tij, gabohen,” tha Haniyeh, duke iu referuar Izraelit.

“Gjaku i fëmijëve të mi nuk është më i vlefshëm se gjaku i fëmijëve të popullit palestinez… Të gjithë dëshmorët e Palestinës janë fëmijët e mi”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re