Qeveria izraelite miratoi marrëveshjen e  normalizimit të marrëdhënieve  me Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërkohë qëkryeministri Benjamin Netanyahu tha se ai kishte biseduar me Princin e Abu Dhabi-t dhe se ata kishin organizuar një takim të afërt.

“Marrëveshja e paqes”, e cila vendos marrëdhënie të plota midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, u arrit me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara.

Palestinezët e dënuan atë si një tradhti të përpjekjeve të tyre për të ndërtuar një shtet në territorin e pushtuar nga izraelitët, raporton Reuters.

Mohammed bin Zayed al-Nahyan, Princi i Abu Dhabi-t dhe udhëheqësi de facto i Emirateve, shkroi në Tëitter se ai kishte biseduar me Netanyahu-n për forcimin e lidhjeve dypalëshe dhe mundësitë për paqe në rajon.

Në një deklaratë zyrtare, e cila përkoi me miratimin e Izraelit të marrëveshjes së 15 shtatorit, Netanyahu tha se ai do të takohej së shpejti me Sheik Mohammed, megjithëse ai nuk përcaktoi kur.

“Gjatë fundjavës, unë bisedova me mikun tim, princin … dhe e ftova atë për të vizituar Izraelin,” tha Netanyahu.

“Ai më ftoi të vizitoja Abu Dhabi-n. Por së pari ne do të mirëpresim delegacionin e Emirateve të Bashkuara Arabe këtu, dhe një nga delegacionet tona do të shkojë atje.”

Një burim i njohur me planet e vizitës së delegacionit tha se përfaqësuesit izraelitë, të shoqëruar nga zyrtarë amerikanë, do të fluturonin në Bahrein më 18 tetor dhe do të udhëtonin në Emiratet e Bashkuara Arabe ditën tjetër, përpara se të ktheheshin në Izrael me delegacionin e Emirateve më 20 tetor.

Duke komentuar bisedën e tij me Sheik Mohammed, Netanyahu tha: “Ne biseduam për bashkëpunimin që promovojmë në investime, turizëm, energji, teknologji dhe sfera të tjera”.

Si një shenjë e bashkëpunimit në rritje midis Izraelit dhe Emirateve, një anije e Emirateve të Bashkuara Arabe me një ngarkesë prej 15 kontejnerësh, e cila operon në rrugën midis Indisë, Emirateve, Izraelit dhe SHBA, u ankorua në portin izraelit të Haifa-s.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re