Aty ku do ndërtohej xhamia e re dhe e madhe e Tiranës, ajo e projektit të studios daneze “Big”, pra aty ku dikur ishte Disco Club Albana, do lartohet një ndër kullat më impresionuese në nivel rajonal.

Pas një Konkursi Ndërkombëtar mes 5 studiove prestigjioze të arkitekturës, “Mount of Tirana” nga Cebra u shpall projekti fitues për qendrën shumëfunksionale në kryeqytet. Erion Veliaj, të cilit po i dedikohen ndërtimet e larta në zemër të Tiranë, që në fakt janë vijimi i një vizioni të Ramës, tha se qendra e re do të kompletojë kurorën rreth sheshit “Skënderbej”.

“Do të ketë disa hapësira, jo vetëm për zyra, por edhe për rezidencë, hoteleri dhe argëtim, që do të kompletojë kurorën rreth Sheshit Skënderbej, ashtu siç ka qenë plani francez origjinal, në përputhje me kërkesat gjithmonë e në rritje të një qyteti që këtë vit është Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe vitin tjetër, me shpresë do të jetë Kryeqyteti Europian i Sportit”.

“Ne javën tjetër do të hapim garën për Teatrin e Ri Kombëtar, projekt nga Bjarke Ingles Group”, theksoi Veliaj.

Juria ishte e përbërë nga Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, si dhe një grup arkitektësh të mirënjohur si Pablo Bofill, Stefano Boeri, Filippo Innocenti, Freek Persyn, të cilët vlerësuan propozimet mbi projektin Tirana Multifunctional Center. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re